Lajme
Bajram Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB
Demokracia
18:40 | 22 Prill 2023

Share:

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, priti sot në takim Asistent – Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Inteligjencën dhe Sigurinë, David Cattler.

Begaj vlerësoi kontributin që japin strukturat e inteligjencës së NATO-s në përballimin e sfidave komplekse të sigurisë.

Ndër të tjera Presidenti Begaj siç njofton zyra e shtypit, nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet strukturave të inteligjencës të vendit tonë me ato të NATO-s është thelbësor, për të parandaluar influencat malinje të vendeve me qëllime jo miqësore.

Begaj diskutoi me Cattler edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku pavarësisht progresit të bërë, vërehen përpjekje të aktorëve me ambicie gjeopolitike, për të zgjeruar influencën dhe penguar proceset eurointegruese.

“Kreu i shtetit theksoi se dakordësia e arritur për normalizimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është hap pozitiv dhe duhet të avancojë me arritjen e rezultateve konkrete. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë si OKB dhe NATO”, njofton presidenca.

Në përfundim Presidenti theksoi se strukturat e inteligjencës dhe sigurisë së Shqipërisë do vijojnë të kontribuojnë dhe bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e NATO-s.

Të ngjashme