Lajme
Bajqinovci godet LDK-në, e akuzon për pazare korruptive dhe grupe të interesit me PDK-në
Demokracia
12:25 | 09 Maj 2023

Share:

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka bërë një analizë për partitë opozitare, me theks të veçantë ndaj LDK-së që drejtohet prej Lumir Abdixhikut.

Sipas tij, LDK-ja është e zvarritur prej më shumë se një dekade me grupet e përbashkëta të interesit me PDK-në.

“LDK-në, në këto 15 vite, nuk e gjejmë si qendër e rëndësishme politike në Kosovë sepse ka zgjedhur të shërbejë si parti e pazareve të nëndheshme me grupet e përbashkëta të biznesit me PDK-në e partitë tjera të vjetra”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai hodhi akuza ndaj LDK-së duke e krahasuar me një monedhë kusuritje e pazareve korruptive.

Kësisoj, ligjvënësi i pushtetit shprehet se LDK-ja nuk ka shanse të fitojë asnjë betejë politike.

Bajqinovci thotë se humbjen e betejave, LDK-ja po provon që ta kompensojë me beteja juridike në Gjykatën Kushtetuese.

“Si monedhë kusuritje e pazareve korruptive, LDK-ja natyrisht se nuk ka shansë të fitojë asnjë betejë politike, sikurse nuk i ka fituar. Tani, duke përdorur metodat dhe linjat, edhe ndonjë ditë të instaluara të shtetit të kapur në sistemin e drejtësisë apo institucioneve të pavarura, LDK humbjen e betejave po provon që ta kompensojë me beteja juridike në Gjykatën Kushtetuese, aty, ku shpresojnë t’u shkrepin ish kandidatët për deputetë të saj që me ato marrëveshjet e koalicionit që bazoheshin në ndarjen e plaçkes 50 me 50, të vonojë sado pak Qeverinë dhe mazhorancën aktuale në ndërtimin e kornizës së reformave afatgjate zhvillimore ekonomike dhe të drejtësisë”, shtoi ai.

“Përpjekja e opozitës PLAN, për të instrumentalizuar e ndërsyer institucione të pavarura kushtetuese kundër programit të reformave, përveçse po e komprimiton pozitën juridike të atyre institucioneve, po tregon fare të qartë se PLAN jo vetëm që nuk ka reflektuar nga 14 shkurti 2021, por janë të etur për të vazhduar atë që kishin bërë me pasurinë publike më parë”.

Të ngjashme