Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka komentuar situatën Rusi-Ukrainë, duke thënë se pas njohjes së pavarësisë së Luhanskut dhe Donbasit nga Rusia, si dhe hyrjes ushtarake në këto zona, Kosova duhet të tregohet shumë e vëmendshme me situatën në veri, shkruan Express.
Sipas Bahtiriti, prej vitit 1999, “Serbia po qëndron praktikisht në gjendje gatishmërie për ta aneksuar veriun e Kosovës, por që gjithmonë ka pritur të krijohen situata të reja gjeo-politike që do ta favorizonin”.
Ai ka renditur edhe disa kërkesa që ka për kryeministrin Albin Kurti.
Përmes këtij postimi, Bahtiri i ka kërkuar atij që t’i ndalë të gjitha projektet e investimeve kapitale dhe buxhetin e dedikuar për to ta ridestinoj për armatosjen e Ushtrisë së Kosovës.
“Në maj të vitit 2021 kam nënshkruar kontratë me Ministrinë Mbrojtjes për t’i dhënë në shfrytëzim 195 hektarë tokë në fshatin Cërnushë të Mitrovicës për ndërtimin e bazës ushtarake të FSK-së, nga e cila veriu monitorohet plotësisht. Pas zhvillimeve aktuale, fillimi i ndërtimit të menjëhershëm të saj është nevojë urgjente.
Z. Kryeministër Albin Kurti, unë në Vetëvendosje kam ardhur sepse kam besuar dhe besoj që jeni të përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e veriut të Kosovës, i cili ishte harruar nga qeveritë paraprake”, ka shkruar Bahtiri.