Nexhmi M. 53 vjeçar dhe Gentian M. 21 vjeçar, babë e bir nga Podujeva, janë arrestuar të premten nga xhandarmëria serbe në zonën kufitare Kosovë-Serbi.
Demokracia.com nga familjarë të afërt të tyre ka konfirmuar se dy të arrestuarit janë dërguar në Serbi, megjithatë komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, ka thënë se nuk ka informacione për këtë rast.
Dy kosovarët u arrestuan të premten dhe rasti u lajmërua sot, pikërisht në ditën kur komandanti Jashari nuk ka qenë në punë.
“Kur (janë arrestuar)? Nuk kam informacione për këtë. Nuk kam asi informate. S’jam sot në punë”, ka thënë komandanti Nijazi Jashari.
Veç kësaj, Demokracia.com ka kontaktuar edhe Stacionin e Policisë në Podujevë, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk mund të flasin për këtë çështje.
“Ne nuk mund të flasim për këtë”, kanë thënë nga Stacioni i Policisë në Podujevë.
Po ashtu, Demokracia.com ka telefonuar edhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për ta pyetur rreth këtij rasti, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Njëjtë edhe nga Zyra e Informimit e Policisë në Prishtinë, pavarësisht insistimit të Demokracia.com për këtë çështje, ata nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk u janë përgjigjur as telefonatave.
Nexhmi M. dhe Gentian M., sipas familjarëve të tyre, janë arrestuar në fshatin Perpellac të Podujevës.
Të njëjtëve, Demokracia.com ka mësuar se autoritetet serbe ua kanë konfiskuar edhe një traktor me rimorkio.
Veç kësaj, Demokracia.com ka marrë vesh se ata kanë kontaktuar familjen e tyre dhe ua kanë konfirmuar se aktualisht ndodhen në Serbi.
Rasti në polici është lajmëruar nga një familjar i tyre gjatë ditës së sotme, me të cilin ka komunikuar Demokracia.com, mirëpo i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri të prononcohet për media rreth kësaj ngjarjeje.
Raportimi i Demokracia.com për arrestimin e dy kosovarëve nga xhandarmëria serbe në zonën kufitare Kosovë-Serbi është konfirmuar edhe në mediat serbe.
Policia e Serbisë ka bërë të ditur për arrestimin e dy personave në rajonin e Kurshumlisë, me inicialet G.M (22 vjeç) dhe N.M (53 vjeç), që përputhen me dy të arrestuarit në fshatin Perpellac të Podujevës për të cilët raportoi ekskluzivisht Demokracia.com.
“Personat në fjalë janë arrestuar për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepër penale të vjedhjes së pyllit. Policia i ka arrestuar të dyshuarit në vendin Dabinovac, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin duke e prerë pyllin dhe me këtë rast u është konfiskuar traktori me rimorkio dhe motorsharra të cilën të dyshuarit e kanë përdorur për ta kryer veprën penale”, kanë thënë policia serbe për mediat në Serbi, pa treguar që bëhet fjalë për dy kosovarë nga Komuna e Podujevës.
Sipas tyre, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ata po i ndjekin procedurat e mëtutjeshme me prokurorin kujdestar. /Demokracia.com/
Lexo edhe:
EKSKLUZIVE| Xhandarmëria serbe arreston dy kosovarë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi