Lajme
Babai rus dhe një tattoo me shqiponjë – historia e gazetares ukrainase që gjeti strehë në Kosovë
Demokracia
12:47 | 02 Qershor 2022

Share:

Zgjim i hershëm, punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kiev, gazetare e sportit për media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, pije nëpër baret e famshme të kryeqytetit ukrainas dhe shumë plane për të ardhmen.

Kjo ishte rutina e Daria Meshcheriakova, gazetares ukrainase, para se të niste invazioni rus i Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.

“Në fakt lufta atje ka filluar para 8 viteve. Të gjithë pak a shumë e kemi ditur që lufta do të ndodhë”, thotë Meshcheriakova, teksa tentoi ta qetësojë Tomy-n, maçokun e saj, të cilin e ka marrë me vete në Prishtinë.

Ajo ka arritur në Kosovë të hënën pasdite, si e katërta gazetare që sistemohet në kuadër të projektit qeveritar për gazetarët që janë të detyruar të ikin nga Ukraina. Programi i financuar nga shteti i Kosovës, i titulluar “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”, u ndihmon gazetarëve ukrainas, që të vijnë në Kosovë, të përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor.

“Kjo që po bën Kosova është e mrekullueshme”, thotë Meshcheriakova teksa po priste ta ndërronte apartamentin, pasi që nuk i kishte dalë ashtu sikurse ishte proklamuar nga qiradhënësi.

Por ky problem nuk ia ka prish aspak qejfin asaj. Lidhja e Meshcheriakovas me Kosovën e Shqipërinë është e fortë, emocionale dhe personale. Madje e stampuar në krahun e saj. Për historinë e kësaj tattoo-je flasim më vonë, por fillimisht le të ndalemi pak tek “eksperienca e luftës në Ukrainë”.

Tattoja me shqiponjë, futbollisti shqiptar në Ukrainë dhe propaganda ruse

Mes historive të shumta nga lufta në Ukrainë, Meshcheriakova mallëgjehet shumë kur kujton faktin se në zonë lufte i ka dy prindërit e saj. Babain e ka rus, nënën ukrainase.

“Të dytë janë të bllokuar në zonat e sunduara nga rusët. Nuk mund të dalin e as të ikin”, thotë ajo, teksa tregon se po mban kontakt ditor me ta.

Tensionohet e folura e saj, kur nis të tregojë për dëmin e madh që lufta ka shkaktuar te njerëzit në Ukrainë e Rusi, e sidomos te familjet që janë të përziera. Thotë se propaganda ruse ka arritur të ndajë edhe familjet.

“Vetë disa nga familjarët e mi më thonë se unë jam me nazistët. Më e tmerrshmja është që djemtë e ri nga familja e babait, shumë shpejt do të nisen për luftë në Ukrainë dhe ka shumë gjasa që edhe të vriten. Ky është tmerri më i madh i luftës”, thotë Meshcheriakova.

Megjithatë, ajo është e sigurt tashmë dhe thotë se është super e kënaqur me mikpritjen këtu. Për këtë, ajo e ka një përparësi. Tattoo-ja e saj me shqiponjën dykrenare që është simboli i flamurit të Shqipërisë dhe atij kombëtar për shqiptarët jashtë shtetit, po bën që të marrë shumë komente të mira. Por pse e bëri tattoo shqiponjën?

“Fillimisht më pëlqen jashtëzakonisht shumë estetika e saj. Më pëlqen se prezanton një histori të gjatë dhe simbolizon një popull fantastik”, thotë ajo.

Tattoo-n e kishte realizuar në një studio në Ukrainë dhe krejt inspirimi për të lidhet me futboll.

“Hera e parë që kam dëgjuar për shqiptarët e Shqipërinë ka qenë përmes një futbollisti shqiptar, mbiemrin e të cilit askush s’mund ta qëllonte, sepse e kishte të vështirë, s’e dinim a me thirrë Xhihani apo Xihani. Ai u shndërrua në heroin e ekipit Zorya Lugansk në vitin 2008”, kujton Meshcheriakova.

Bëhet fjalë për futbollistin shqiptar Parid Xhihani, i cili ka luajtur tek ekipi ukrainas në sezonin 2008-2009, që tashmë është jashtë fushës së gjelbër.

“Kur e vizitova për herë të parë Shqipërinë më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Ishte krejt tjetër gjë, nga perceptimi që ekziston për shqiptarët në Ukrainë e që është i ndikuar nga propaganda ruse”, thotë ajo.

Meshcheriakova shprehet e irrituar edhe për një fakt tjetër.

“Në Ukrainë, falë propagandës ruse, njerëzit mendojnë se lufta në Kosovë nuk ka ndodhur dhe se Kosova është pjesë e Serbisë. Tash jemi duke i përjetuar në lëkurën tonë, pasojat e propagandës ruse e cila mohon se po lufton në Ukrainë”, thotë ajo.

“Ambasada gjermane na braktisi një natë para invazionit”

Ishte diku 20 shkurti, kur Meshcheriakova ende vazhdonte të shkonte në punën e saj në Ambasadën e Gjermanisë në Kiev.

“Më 23 shkurt, në mbrëmje, Ambasada më lajmëroi se po evakuohen. Vetëm më uruan që të jem mirë dhe asgjë tjetër. Unë mbeta pa punë dhe e alarmuar se lufta po niste shpejt. Nuk kaloi as 5 orë dhe bomba e parë ra”, kujton Meshcheriakova teksa po hanim drekë në një restorant në Prishtinë. Tashmë është më e relaksuar, por ende irritohet kur kujton ngjarjen e para 4 muajve.

“Të gjithë në Ukrainë e prisnin luftën qx bnë 8 vjet, dhe askush nuk ka qenë i befasuar me invazionin”, thotë ajo, teksa kujton se si javët e para të luftës do të fshihej mes podrumeve të metrove dhe ndërtesës së banesës së saj.

Javët po iknin dhe situata në Kiev po bëhej edhe më e tensionuar. Puna e saj në Ambasadë mori fund, ndërsa puna e saj si gazetare e sportit kishte më pak hapësirë.

“Pakkush ishte i interesuar për storie sportive në kohë lufte”, thotë ajo.

Katër muaj pas, Ukraina mes luftës, megjithatë vazhdon prezencën ndërkombëtare në sport.

“Sonte (e mërkurë v.j.) luan Ukraina me Skocinë për kualifikim në Kampionatin Botëror. Mezi po pres”, thotë Meshcheriakova, teksa tregon se “nuk e kishte imagjinuar se një ditë do ta shikonte kombëtaren e saj në një shtet tjetër, si e ikur nga lufta”.

Të ngjashme