Lajme
Azov publikon video me detaje të sulmit kimik rus në Mariupol
Demokracia
12:47 | 12 Prill 2022

Share:

Regjimenti Azov, i cili po lufton kundër forcave ruse në Mariupolin e rrethuar, publikoi sot një video në Telegram me detaje të sulmit të supozuar kimik të natës së kaluar.

Videoja rendit simptomat që ushtarët pretendojnë se vuajnë nga përdorimi rus i armëve kimike, transmeton Demokracia.com.

Ndër simptomat, pretendon Azov, janë hiperemia (rritje e sasisë së gjakut në vena), presioni i lartë i gjakut, inflamacioni i faringut dhe mukozave në sy, dobësia dhe temperatura. Disa Azov përmendin gjithashtu takikardinë dhe ndryshimet në presionin e ulët dhe të lartë të gjakut.

Disa nga luftëtarët në video përmendin praninë e tymit të bardhë gjatë sulmit dhe shprehen se i kanë ndjerë menjëherë efektet, prandaj disa prej tyre janë rrëzuar menjëherë. Një dëshmitar tha se ata dëgjuan shpërthimin dhe u nisën për të hetuar.

Komandanti i Azov: Rusët duan të fshehin provat e krimeve të tyre, ne jemi në një bllokadë të plotë

Komandanti i Azov, Denis Prokopenko thotë se rusët sulmuan me një substancë helmuese, origjinën e së cilës nuk mund ta përcaktojnë sepse janë nën bllokadë.

“Dje pushtuesit përdorën një substancë helmuese me origjinë të panjohur kundër ushtrisë dhe civilëve në Mariupol, epiqendra e sulmit nuk ishte afër njerëzve, ndaj kontakti ishte minimal, gjë që potencialisht u shpëtoi jetën, por ka pasoja.

Për momentin është e pamundur të analizohet dhe të shihet se cila substancë ka helmuar njerëzit sepse jemi në një bllokadë të plotë dhe epiqendra e sulmit është nën zjarrin rus sepse duan të fshehin provat e krimeve të tyre”, tha Prokopenko.

“Çuditërisht, pavarësisht mijëra civilëve të vrarë nga forcat ruse në Mariupol, të gjithë filluan të flasin për ne vetëm pas sulmit kimik, por qyteti sulmohet çdo ditë nga avionë, artileri, armë të rënda, fosfor…”, shton Prokopenko. /Demokracia.com/

Të ngjashme