Lajme
Azemi: Ka njerëz që kanë humbur gjymtyrë në vendin e punës dhe nuk figurojnë askund
Demokracia
21:49 | 06 Qershor 2022

Share:

Siguria në vendin e punës dhe kushtet e punëtorëve po vazhdojnë të jenë problem kyç në Kosovë për vite me radhë.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat shprehet se nuk ka numër të saktë të lëndimeve në vendin e punës sepse shumë shpesh ato nuk raportohen, shkruan lajmi.net.

Ai në episodin e tretë të dokumentarit Pasojë, prodhim i lajmi.net që iu kushtohet lëndimeve në vendin e punës është shprehur se shumë shpesh punëtorët mashtrohen nga pronarët e kompanive.

“Realisht nuk mund të jetë një numër i saktë i lëndimeve në punë pasi që shumë akter të cilët këtë e pamundësojnë sepse ne kemi një numër shumë të madh punëtorët të cilët lëndohen dhe pronarët e kompanive nuk i lejojnë ata të deklarohen se si erdhi deri tek lëndimi por ne e kemi bërë një vizitë në QKUK dhe në disa Qendra të Mjekësisë Familjare ad-hoc kemi ardhur deri tek një përfundim sipas një llogarie që nuk mund të jetë reale që brenda vitit dikund rreth 1 mijë e 700 punëtorë lëndohen në vendet e tyre të punës. Çka është më e rënda se kemi edhe raste që këta gjatë gjithë jetës nuk mbeten më që të jenë pjesë aktive e punës dhe shpesh pronarët e kompanive i mashtrojnë me disa benificione për të cilat këto benificione mund të vazhdojnë për një periudhë bukur të shkurtë dhe më pas mbesin askund”, thotë ai.

Ai ka thënë se ka persona që humbin edhe gjymtyrë në vendin e punës dhe nuk figurojnë askund.

“Ne kemi një rast ndoshta edhe raste të tjera kur punëtori e ka humbur dorën në vendin e tyre të punës dhe nuk figuron askund se e ka humbur dorën, por këtë po e them meqë ne kemi informata por ne nuk guxojmë të themi që është ky person dhe nuk është drejtuar tek ne dhe të kërkojë mbështetjen tonë, por e dimë që ka raste që humbin gjymtyrët e trupit në momentin kur ai nuk e deklaron vetën si ka ardhur rasti, normal që ne nuk e kemi të drejtën ta publikojmë personin”, thotë ai.

Më tutje, Azemi shprehet se faji është i të gjithëve, duke nisur nga pronarët e kompanive e deri tek inspektorati i punës, por edhe i sindikatës.

“Pa dashur me anashkalu edhe sindikatën faji është i të gjithëve dhe në radhë të parë është faji i pronarëve të kompanisë pasi që në momentin kur hyn në punishte punëtori pronari i kompanisë e ka për obligim që ta ketë një person i autorizuar që ta njoftojë punëtorin për rreziqet në punë, pronari i kompanisë e ka për obligim që të ketë në detyrë personin e profilizuar dhe për obligim që të ofrojë pajisjet e punës për të cilën ka raste kur i ofrohen pajisjet por ka edhe raste kur nuk i ofrohen pajisjet. Por është shumë normale kur një pjesë bukur e madhe e përgjegjësisë i bie edhe Inspektoratit të Punës pasi që ata janë aktorët të cilët duhet ta monitorojnë ose duhet ta verifikojnë se a i ka plotësuar të gjitha kushtet pronari i kompanisë që punëtori të kryejë punën e tyre normal për megjithatë edhe një pjesë bukur e madhe e punëtorëve kanë një pjesë të fajit pasi që kur e sheh që punën që po e bën ekziston rreziku i humbjes të jetës atëherë nuk ia vlen edhe me shku”, thotë ai

Të ngjashme