Lajme
Azemi i LDK-së: Uroj që drejtësia të mos dorëzohet dhe le të dalë e vërteta e Nagip Krasniqit
Demokracia
18:07 | 19 Korrik 2023

Share:

Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi ka reaguar pasi që kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Azemi përmes një postimi ka thënë se nga dita e arrestimit, Qeveria e VV-së i ka dalë në mbrojtje Krasniqit, madje Azemi ka përmendur edhe shkarkimin brenda PK-së, duke thënë se krejt kjo është bërë për të penguar zbardhjen e pazareve me energjinë elektrike.

“Kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi është arrestuar me 19 prill. Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj tij edhe për dy muaj. Sado që skandalet e kësaj qeverie mbulojnë njëra-tjetrën, kujtojmë që njeriu i partisë në pushtet, Nagip Krasniqi, që nga ta u instalua në këtë ndërmarrje, dyshohet për korrupsion. Që nga dita e arrestimit të tij, i madh e vogël në Qeveri e VV i kanë dalë në mbrojtje. Pati edhe një shkarkim brenda Policisë nga njësiti që po hetonte Krasniqin. Krejt kjo për ta penguar zbardhjen e pazareve me energjinë elektrike. Për ta mirëmbajtur rrjetin e mafisë energjetike, në krye të së cilit qëndron Martin Berishaj.” – ka shkruar ai.

Azemi i LDK-së tutje ka uruar që drejtësia të mos dorëzohet dhe le të dalë e vërteta e Krasniqit dhe Martin Berishajt.

“Uroj që drejtësia të mos dorëzohet dhe t’i shkojë deri në fund këtij hetimi. Le të dalë e vërteta e Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt, e rrjedhimisht edhe e Albin Kurtit.” – ka përfunduar ai.

 

Të ngjashme