Lajme
Avokatit nga Peja i digjen dy vetura, dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm
Demokracia
14:21 | 25 Janar 2021
Ilustrim

Share:

Dy vetura të avokatit nga Peja, Mustafë Kastrati janë përfshirë nga zjarri mbrëmjen e së dielës.

Mbrëmjen e së dielës në rrugën “Mulla Agani”, në Pejë janë përfshirë nga zjarri dy vetura, të cilat siç merr vesh Demokracia.com, janë të avokatit pejan, Mustafë Kastrati.

Djegien e këtyre dy veturave e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, përderisa nga Prokuroria Themelore e Pejës, kanë thënë për Demokracia.com, se dyshohet që djegia ka qenë e qëllimshme dhe se janë duke punuar në identifikimin e të dyshuarve.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për Demokracia.com, se aktualisht nuk mund të japin detaje shtesë, por që edhe policia është duke e hetuar këtë rast.

“Dyshohet se dy vetura janë djegur qëllimisht dhe jemi duke punuar në identifikimin e të dyshuarve të kësaj vepre”, ka deklaruar Nikçi.

Në anën tjetër, Demokracia.com, ka provuar që të kontaktojë edhe me avokatin Mustafë Kastrati, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Theksojmë se sipas Policisë së Kosovës, ka qenë vetë Kastrati ai i cili ka arritur që ta lokalizojë zjarrin në veturat e tij para se zjarrfikësit dhe pjesëtarët e policisë të arrinin në vendin e ngjarjes.

“Pejë 24.01.2021-21:20. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se dy veturat e tij i kishte kapluar zjarri dhe viktima kishte arritur që ta lokalizoj zjarrin. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore si dhe njësiti i zjarrfikësve. Si pasojë  e zjarrit, veturat kanë pësuar dëmtime të vogla materiale. Dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme nga person-a i panjohur. Rasti nën hetime’, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme