Avokati serb Cedomir Stojkoviç është shprehur se ka një rrezik real në Ballkan që Serbia të nisë një konflikt të armatosur.
Komentet Stojkoviç i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Republikës Sërprska në Bosnjë, Millorad Dodik, do të përpiqen me të gjitha mënyrat për të ndryshuar politikën europiane në Ballkan.
Ai tha se sulmi i vitit të kaluar në Banjskë në veri të Kosovës është një tregues i qartë se Serbia mund të organizojë në Ballkan edhe konflikte të tjera të armatosura.
“Kam përshtypjen se Vuçiç priste më shumë ekstremist në PE, të cilët shkojnë përshtat edhe me politikat e tij, ndërkohë që duket që dominimi do të jetë i njëjtë. Nuk do të ketë ndryshim të politikës së PE kundrejt Serbisë, sepse ato ndryshime nuk ishin edhe aq të forta. Ekstremistët bënë përpara në Parlament, por gjithësesi ndryshimi nuk është aq i madh. BE nuk do e ndryshojë politikën kundrejt Bosnjë-Hercegovinës, pasi është e pamundur të ndryshohet kjo politikë.
Që të ndryshohet një politikë duhen dekada dhe nuk mjaftojnë vetëm një palë zgjedhje në PE. Për Ballkanin situata është e qartë, Bosnja është një vend sovran i pavarur, Serbia po ashtu, Shqipëria dhe madje edhe Kosova. Ajo që do të ndryshojë do të jenë përpjekjet në Ballkan për ta ndryshuar politikën europiane.
Dhe shtrohet një pyetje, a do të jenë përpjekjet e Vuçiç dhe Dodik paqësore apo me konflikte të armatosura. Çdo zyrtar i përgjegjshëm do të thoshte se ata nuk janë të çmendur të organizojnë një konflikt të armatosur. Por një vit më parë ishte tentativa në Banjskë, ndaj kjo situatë mund të duket e pabesueshme, por mund të ndodhë. Sot duket e pabesueshme që disa konflikte të ngrihen në Bosnjë, por është shumë e mundur që të ndodhë”, tha Stojkoviç.