Artan Qerkini, avokat i Sylejman Selimit, komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës dhe Sokol Bashotës, zëvëndeskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka folur për hetimin e gjatë që është bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ndaj tyre.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, Qerkini ka theksuar se si mbrojtje e Selimit dhe Bashotës ka kërkuar nga ZPS-ja që të përfundojë hetimin ndaj të dy dëshmitarëve, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
“Z. Selimi ishte ftuar të intervistohej në cilësinë e personit të dyshuar qysh në vitin 2019, që do të thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zhvilluar hetime për më shumë se gjashtë vite, dhe natyrisht kur është ftuar që ta ketë edhe cilësinë e dëshmitarit në rastin 06 ku të akuzuar janë Z. Thaçi dhe të tjerët”.
“Ne si mbrojtje kërkuam që fillimisht të dihet saktë statusi i tij procedural, ngase në një procedurë penale një person për faktet e njëjta që pritet të dëshmojë nuk mund ta ketë edhe statusin e personit të dyshuar, po ashtu edhe në bazë të rregullores së procedurës dhe provave aty parashihet se hetimi duhet të zgjasë brenda një afati të arsyeshëm”.
“Ne e përshkruam këtë çështje para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kërkuam që hetimi të përfundojë mbi dy baza juridike, fillimisht sepse një person nuk mund të ketë dy statuse në procedurë penale, po ashtu edhe mbi bazën juridike të stërzgjatjes së hetimeve, sepse rregullorja e procedurës dhe provave e ka paraparë një rregull se hetimet nuk mund të zgjasin pafundësisht, por duhet të përfundojnë brenda një afati të arsyeshëm”.
“Ne menduam se gjashtë vite e më shumë ishin një afat i arsyeshëm për prokurorinë të hetojë, dhe të vendosë që të pushojë hetimet apo të ngrisë aktakuzë. Ne natyrisht ishim të bindur që për shkak të mungesës së provave, pretendimeve fillestare hetimet duhej të ndërpriten, dhe kjo kërkesë u aprovua, të gjitha hetimet ndaj Z. Selimi dhe Z. Bashota u përfunduan”, ka thënë Qerkini.