Lajme
Avokati i Salih Mustafës thotë se sulmi ndaj familjes Jashari nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi të Kosovës
Demokracia
12:46 | 22 Mars 2022

Share:

Në deklaratën e tij hyrëse, avokati i Salih Mutafës, Julius von Bone, ka thënë se sulmi ndaj familjes Jashari dhe vrasja e Adem Jasharit nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi.

Ai ka thënë se pas shpërbërjes së Jugosllavisë, lufta për pavarësinë e Kosovës mori dy forma, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Një lëvizje paqësore që mbulon periudhën nga viti 1990 deri në 1998 dhe lëvizja e rezistencës në të dytën, kjo e fundit mori stafetën nga e para në momentin e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes së zgjeruar të tij, kryesisht fëmijë dhe gra. Kjo nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi”, ka thënë ai.

Ai tha se Adem Jashari konsiderohet si komandanti legjendar i UÇK-së, ku përpjekjet e tij patriotike dhe heroike për çlirimin e Kosovës mbahen mend edhe sot e kësaj dite, për një çlirim nga një regjim ofensiv dhe brutal.

“Me datë 5, 6 dhe 7 mars, forcat ushtarake policore sulmuan kompleksin e familjes së Adem Jashari në Prekaz, të zonës së Drenicës. Forcat serbe mendonin se me vrasjen e gjithë familjes Jashari rezistenca e popullit kosovar do të kishte marrë një goditje përfundimtare, aq sa do të përfundonte edhe rezistenca”, ka thënë ai.

Tutje, tha se vrasjet mes të shumta edhe shumë fëmijë, jo më shumë se 7 vjeç është një prej krimeve më të këqija të regjimit serb të kryera në Kosovë, një nga krimet e shumta që kanë kryer forcat serbe në Kosovë.

“Edhe njerëz të tjerë që banonin në kompleks, si anëtar të moshuar apo farefis i familjes humbën jetën në këtë sulm të paprecedent kundër një shtëpie rezidenciale dy katëshe që ndodhej në kodrat e Prekazit. Ky sulm ka lënë një shenjë të rëndësishme dhe themelore në historinë e Kosovës në përpjekjet e saj për tu çliruar nga ky regjim shtypës”, tha ai.

Sipas tij, sulmi brutal hasi në një rezistencë të fortë, me një mbështetje të gjerë në popullatën e Kosovës.

“Shumë e shumë njerëz dolën vullnetarë për të marrë pjesë në një përpjekje të armatosur për tu çliruar nga regjimi, i cili e kishte mbajtur këtë popullatë në një grusht të hekurt për shumë vitesh. Pas një viti me 24 mars 1999, që është si sot e para 23 vjetësh që NATO filloi sulmet e veta ajrore për të çliruar Kosovën nga ky regjim opresiv”, tha ai, duke thënë që këto sulme ajrore zgjatën deri në qershor 1999.

Ai tha se këto sulme ajrore të NATO-s u nxitën nga gjakderdhja dhe spastrimi etnik kundër shqiptarëve, çka i shtyu shqiptarët të largohen drejt vendeve fqinje dhe se operacionit e NATO-s ishin ndërhyrje humanitare që u bë e nevojshme kur Jugosllavia refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e Rambujes.

Sipas tij, sulmet e NATO-s në Prishtinë në 1999 janë të mirënjohura për secilin nga qytetarët e Kosovës që mbetën gjallë nga konflikti.

“Data më e rëndësishme në këtë kuadër është depërtimi në masë të madhe i shqiptarëve nga stacioni i trenit të Prishtinës. Më 31 mars 1999 që është një tjetër ditë e ngulitur thellësisht në mendjet e shumë qytetarëve kosovarë ka ndodhur kjo që ishte një ngjarje me rëndësi në Kosovë”, ka thënë ai.

Tutje, tha se kjo është përshkruar si ngjarje e rëndësishme në raportet e OSBE-së.

“Bëhet fjalë për spastrimin e lagjeve të Prishtinës. Në raporte thuhet kështu “raportime të shumta, por të pakonfirmuara bëjnë të ditura se familjet shqiptare detyrohen të largohen me forcë në mënyrë sistematike nga lagjja dhe po i dërgojnë në stadiumin sportiv të Prishtinës, disa grupe dërgohen drejtpërdrejt në stacionin e trenit për të vazhduar pastaj në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, ka thënë ai.

Avokati Von Bone, në fjalën e tij hyrëse, vazhdoi duke cituar raportet e OSBE-së.

Ai ka thënë se dëbimi me forcë është raportuar në raportin e OSBE-së, të titulluar “Kosova siç është parë e siç është treguar”.

“Në kapitullin 14, sipas këtij raporti të OSBE-së nga data 24 mars deri me 2 prill 1999, mbi 177 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Shqipëri dhe me 2 prill 1999, 130 mijë shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Maqedoni dhe Shqipëri. Shumica më e madhe e këtyre njerëzve janë dëbuar me forcë në shtëpi, dëbimet kishin për objektiv të qartë shqiptarët e Kosovës dhe mbështetej në kombësinë e tyre. Raporti i OSBE-së përshkruan modelin tipik të dëbimit me forcë të personave me kombësi shqiptare”, tha Von Bone.

Në vijim, avokati Von Bone tha se në këtë sfond dhe kontest të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën pranë aktakuzës, është me rëndësi të theksohet se mbrojtja beson se personat e zhvendosur brenda vendit që po kërkonin strehim brenda Kosovës, kërkonin strehim në zonën e Gollakut, në pjesën malore në lindjen e Prishtinës.

“Krimet të cilat pretendohet se kanë ndodhur sic janë përshkruar në aktakuzë përqendrohen te zona malore e quajtur Gollak. Krimet e pretenduara thuhet se kanë ndodhur në zonën e Zllashit. Fokusi i aktakuzës është periudha nga 1 deri me 19 prill e vitit 1999.mbrojtja së pari dëshiron së pari t’i hedh një sy zonës ku pretendohet se kanë ndodhur krimet e pretenduara e paraqitura në aktakuzë”, tha ai.

 

Tutje, tha se nuk ka ndonjë material të përcaktuar në dosjen gjyqësore rreth Zllashit, dihet ku përafërsisht ku është Zllashi, por nuk ka përcaktim kufijsh, ku është zonë e madhe dhe shtëpitë janë të shpërndara në gjithë zonën.

“Në pikëpamjen administrative zona e Zllashit bie në Mramor, që është fshat i madh në cep të zonës malore. Për të shkuar në Zllash nga Prishtina është goxha udhëtim, veçanërisht për të shkuar në vendin e përshkruar në aktakuzë”, ka thënë ai.

Sipas tij, është ftoftë gjatë dimrit dhe rrugët janë plot me baltë dhe është e vështirë të udhëtosh me veturë.

“Vendet që mbrojtja do të diskutoj gjatë çështjes së mbrojtjes do të gjenden në vende të ndryshme. Vendet dhe distancat ndërmjet tyre janë ç’orientuese. Në hartë mund t’i gjesh dhe gjithashtu mund të matësh edhe distancat nga njëri vend te tjetri, megjithatë në jetën reale dhe periudhën e vitit 1999, këto vende ishin shumë të vështira të arriheshin”, ka thënë ai, duke shtuar kishte lloj lloj faktorësh që luanin rol te kjo.

Ndër to, ai tha se ishin post-blloqet dhe zonat e kontrolluara nga serbët, që e bënin të vështirë të shkosh në vende të tilla.

“Një tjetër e vështirë e të udhëtuarit do të ishte thjesht që kishte përplasje të vazhdueshme ndërmjet UCK-së dhe forcave serbe. Për të shkuar atje do të duhej të anashkaloje këto zona pasi ishin rrugë të rrezikshme për tu përdorur. Do të duhej në realitet shumë më tepër kohë që të shkoje nga një vend te tjetri”, tha ai.

Më pas, ai kërkoi nga njësia e administratës të paraqes hartën gjeografike, por se e njëjta nuk u pa për publikun, ndërkaq avokati i  rrëfeu trupit gjykues për rrugët dhe fshatrat në zonën në fjalë.  Ndërkaq, pas hartës së parë, u kalua në hartën e dytë me kërkesë të avokatit.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Të ngjashme