Lajme
Avokati i Popullit pagoi shtatë herë rreth 300 euro për “Dreka Zyrtare”, por mungojnë faturat
Demokracia
16:11 | 25 Maj 2022

Share:

Një sërë shkeljesh ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë një auditimi të bërë në institucionin e Avokatit të Popullit, i cili është bërë publik së fundi nga ZKA.

Në shtatë raste, ZKA ka gjetur se shpenzimet për “Darka Zyrtare” në vlerë prej 278.50 euro, IAP nuk ka mundur të ofrojë dëshmi që këto shpenzime ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare, raporton Demokracia.com.

“Neni 5 të Vendimit nr. 247/ 2019 (dt. 04.11.2019) për caktimin e të drejtës dhe të shumës mujore të reprezentacionit për zyrtarët e IAP-së, përcakton që shpenzimet e reprezentacionit përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të cilat bëhen me rastin e kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar, dhe nuk mund të përdoren për nevoja e qëllime të tjera. Në shtatë raste shpenzime “Dreka Zyrtare” në vlerë prej 278.50€, IAP nuk ka mundur të ofroj dëshmi që këto shpenzime ishin përdorur për qëllime të kryerjes së detyrave zyrtare, aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme të punës me karakter zyrtar”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak se nuk është respektuar vendimi me të cilin rregullohen shpenzimet e reprezentacionit për zyrtarët e Institucionit të Avokatit të Popullit.

“Ndikimi Mosrespektimi i kërkesave të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit në IAP, ka ndikuar në realizimin e shpenzimeve të pa arsyeshme”, thuhet tutje në raport.

Auditori ka rekomanduar se Avokati i Popullit, duhet të identifikoj shkaktarët e mos respektimit të vendimit për shpenzimet e reprezentacionit dhe të siguroj kontrolle adekuate në mënyrë që mangësitë e tilla të mos ndodhin në të ardhmen. 

Po ashtu, ZKA ka gjetur shkelje edhe në menaxhimin e pasurisë.

“Institucioni i IAP nuk kishte një rregullore të brendshme për menaxhimin e pasurisë që do të rregullonte mënyrën e ngarkimit dhe shkarkimit të zyrtarëve për përdorimin dhe menaxhimin e pasurisë. Gjatë testimit të pasurisë ne vërejtëm se në regjistrin e pasurisë SIMFK (pasuria mbi 1,000€) pasuria me emërtim “Notebook Compjuter” me vlerë fillestare 1,290€ dhe vlera në libër zero, sipas përshkrimit të gjendjes së pasurisë e cila figuron se është në përdorim mirëpo me ekzaminimin fizik rezultojë që pajisja nuk ekziston. (Zyrtari i IAP-së, nuk e ka kthyer pas përfundimit të mandatit)”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, ekzistojnë edhe dy raste të cilët zyrtarët e IAP-së nuk e kanë kthyer pasurinë (Laptopët) pas përfundimit të mandatit.

“Gjithashtu, sipas zyrtarëve përgjegjës në IAP, ekzistojnë edhe dy raste të ngjashme të cilët zyrtarët e IAP-së nuk e kanë kthyer pasurinë/Laptopët pas përfundimit të mandatit të përfunduar në IAP. Vlera e njërit Laptop në libra më 31.12.2021 ishte 205.65€, ndërsa laptopi tjetër kishte vlerën zero. Me datë 27.09.2021 Sekretari përgjithshëm kishte marrë vendim mbi bazën e rekomandimit të komisionit për tjetërsimin e pasurisë nën 1000 euro për dhurimin e pasurive jo financiare të IAP-së drejtorisë së arsimit të Komunës së Prishtinës. Ne identifikuam se pasuritë e dhuruara edhe pse ishin të dëmtuara dhe jo funksionale (vlera e tyre ishte zero), të njëjtat nuk ishin larguar nga regjistrat e pasurisë jo-financiare. Nga testimi i regjistrit të pasurive nën 1,000€, kemi vërejtur që zhvlerësimi nuk ishte kalkuluar për furnizimet e reja gjatë vitit 2021. Vlera e zhvlerësimit të pa aplikuar është 1,979.87 euro. Për këtë vlerë është mbivlerësuar pasuria në fund të vitit”,  thuhet në raport. /Demokracia.com/

Të ngjashme