Intervista
Avokati i Popullit: Më duhet të konstatoj gjendje jo të mirë sa i përket respektimit të drejtave të njeriut
Demokracia
10:52 | 10 Dhjetor 2022

Share:

Të drejtat e njeriut në Kosovë vazhdojnë të shkelen çdo ditë e me shumë, dhe kjo si pasojë e mos zbatimit të ligjeve nga institucionet përgjegjëse.

Kështu thonë përfaqësues të organizatave dhe institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtat të njeriut. Ata po vlerësojnë se sa i përket kësaj çështjeje, organet e drejtësisë kanë dështuar në vazhdimësi.

10 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Në këtë kuadër për Kosovën, respektimi i parimeve thelbësore i të drejtave të njeriut është qenësor për zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se edhe përkundër progresit që është shënuar në dy dekada edhe këtë vit qytetarët e Kosovës përballen me shkelje të drejtave të njeriut.

“Ajo çka mund të them unë nga rastet që kemi pasur në hetim si Avokat i Popullit dhe mbi bazën e gjetjeve që kemi nga takimet e shumta që kemi pasur më qytetarë, organizata të shoqërisë civile  dhe akterë të tjerë,që edhe përkundër progresit që vendi ynë ka pasur këto dy dekada, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut nuk ne nuk mund të themi që shoqëria jonë nuk po diskriminohet. Prandaj, edhe këtë vit, në shënimin e kësaj dite, më duhet të konstatoj gjendje jo të mirë për sa i përket respektimit të  drejtave të njeriut”, tha ai.

Avokati Qelaj tha se ka nevojë për ndryshime të strukturës se brendshme ligjore.

“Unë konsideroj se ka zbrazëtira ligjore e që duhet të plotësohen. Sidomos pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal të  Kosovës, ku dhuna në familje është përcaktuar si vepër e veçantë penale. Dhe me ndryshimet në Kushtetutë, me përfshirjen e Konventës së Stambollit si ligj i zbatueshëm në Kosovë, është detyrim edhe patjetër që duhet reflektuar edhe në ndryshimet e krejt strukturës se brendshme ligjore që të mund të përafrohen dispozitat ligjore me këto dy ndryshime që kanë ndodhur viteve të fundit”, tha ai.

Edhe organizatat për të drejtat e njeriut e shohin si shqetësuese gjendjen për sa i përket shkeljes se të drejtave të njeriut në Kosovë.

Blendë Pira, nga “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë”, i tha Radio Kosovës se numri i shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendin tonë, është në rritje.

“Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut edhe këtë vit Kosovën nuk po e gjen në nivelin të cilën kishin dashur qytetarët. Numri i rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut është rritur çdo ditë. Këtë e tregojnë statistikat dhe raportimet në media”, tha Pira.

Po ashtu, Pira tha se është një dështim i organeve të drejtësisë dhe se legjislacioni i Kosovës në këtë fushë nuk është në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Në këtë çështje mund të themi që është dështim sistematik dhe zinxhiror i institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve në përgjithësi. Gjithashtu legjislacioni i Kosovë  nuk është plotësisht  i përafruar me atë të BE-së”, tha Pira.

Se me të vërtetë në Kosovë shumë qytetarë përballën me shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut e thonë edhe drejtues të organizatave për personat me nevoja të veçanta.

Fazile Bungu, nga organizata për personat me nevoja të veçanta “Hendifer” në Ferizaj,  e cila me dekada të tëra i është përkushtuar punës për përmirësimin e kushteve dhe të drejtave për personat me nevoja të veçanta, i tha Radio Kosovës se kjo kategori përballet me shumë probleme dhe shkelje të të drejtave.

“Ligji nuk zbatohet fare nga institucionet tona. Edhe pse ky vit është shpallur viti i personave me nevoja të veçanta, pikërisht në këtë vit kjo kategori është përballur me shumë shkelje të të drejtave. Deri me tani kjo kategori e ka gëzuar të drejtën e pensionit me përcjellës, këtë vit kjo u është ndërprerë shumicës prej tyre e që janë rreth 500 persona. Edhe pse në Kosovë është punuar shumë në infrastrukturë, por shumë pak është menduar për këta persona”, tha Bungu.

Sipas të dhënave nga organizatat e ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qytetarët që më së shumti përballen më shkelje të të drejtave në Kosovë janë:  gratë, personat me nevoja të veçanta, qytetarët e komunitetit rom, ashkali, egjiptian, personat e komunitetit LGBT,  punëtorët të cilët punojnë  pa kontrata të rregullta, mos pagesa e pagës dhe kontributeve pensionale, largimet nga puna pa arsye, degradimet në vendin e punës dhe shkelje të tjera.

Të ngjashme