Lajme
Avokati i Popullit kërkon nga Qeveria që t’i qartësojë vendimet lidhur me shpronësimin e tokave në Veri
Demokracia
17:32 | 21 Qershor 2024

Share:

Avokati i Popullit në lidhje me procesin e shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, ka konstatuar se vendimet nuk kanë pasur qartësinë e duhur nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Avokati i Popullit ka vërejtur se vendimet e nxjerra para dhe gjatë procesit të shpronësimit nuk e kanë pasur qartësinë e duhur sa i përket qëllimit legjitim për të cilin është bërë shpronësimi dhe kjo ka bërë që mos të përmbushet në mënyrë të plotë kushti ligjor për bërjen të ditur të qëllimit të ligjshëm publik”.

“Qeveria dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kanë zhvilluar veprimet e tjera procedurale lidhur me çështjen e shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, duke nxjerrë vendime për shpalljen e atyre zonave me interes të veçantë, miratimin e vendimeve të tjera përcjellëse, mbajtjen e dëgjimeve publike dhe nxjerrjen e vendimit preliminar dhe përfundimtar, veprime këto të bazuara në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme”.

Ky institucion ka kërkuar nga institucionet e tjera që të angazhohen për të marrë veprime për t’i qartësuar vendimet e tyre, transmeton albanianpost.

“Avokati i Popullit ka vënë në dukje obligimin pozitiv të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në drejtim të qartësimit të qëllimit legjitim dhe interesit publik, në mënyrë që ndërhyrja në pronat e pronarëve, për qëllimet e shpronësimit të jenë të qarta, të dukshme dhe të lejueshme”.

Analizimi i kësaj situate ka ardhur si rezultat i ankesave të banorëve të komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët janë ankuar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces i shpronësimit.

“Avokati i Popullit duke pasur parasysh faktin se për këtë çështje është iniciuar procedurë gjyqësore, nuk është lëshuar në vlerësim meritor, por i paraqet vetëm pikëpamjet e tij në vështrim të mbrojtjes së të drejtës së pronës, si e drejtë e njeriut e garantuar me Kushtetutën e Republikën e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në dy komunat veriore në vitin 2023, ndërsa në bazë të vendimit paraprak, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe 33 hektarë në Zubin Potok.

Por, në vendimin e 30 majit të qeverisë kosovare thuhet se në Leposaviq do të shpronësohen 96 hektarë.

Çështja e shpronësimit të tokave në pjesën veriore të vendit është përmendur edhe në raportin e raportueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku pretendohet se kjo mënyrë e shpronësimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit.

Të ngjashme