Avokati i Popullit ka njoftuar se Ligjin për Paga e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pas ankesave nga 104 subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat kanë të bëjnë me ulje pagash, heqje shtesash apo trajtim joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Në ankesën e publikuar të premten, Avokati i Popullit ka thënë se këtë ligj nuk e konteston në shtojcat ku për sektorë të caktuar ka pasur rritje pagash.
Në njoftimin e publikuar, Avokati i Popullit ka numëruar shtojcat për të cilat ka thënë se s’janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe frymën e aktgjykimit të vitit 2019, me të cilin Kushtetuesja pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për paga, në kohën kur qe hartuar për herën e parë.
Avokati i Popullit ka thënë se Ligji që hyri në fuqi më 5 shkurt 2023, është zhvilluar në një “proces jotransparent” dhe nuk bart frymën e aktgjykimit të 2019-s, në kuptimin e “parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik”.
Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese.