Avokati Virtyt Ibrahimaga ka thënë se neni 1.3 i Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, shfuqizimi i këtij neni do të kishte kishte vetëm një konsekuencë dhe atë inkurajimin e prindërve me bindje fanatike fetare për t’i mbuluar fëmijët e tyre.
“Udhëzimi në fjalë është kod i mirësjelljes për shkollat e fillore dhe të mesme, pra për të mitur. Arsimi i lartë është përjashtuar përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen në fjalë. Ky kod përveç ndalesës për të bartur uniformë fetare ka edhe ndalesa tjera në veshje”, ka shkruar Ibrahimaga, përcjell Demokracia.com.
Ai ka thënë se arsimi i Kosovës bazohet në vlerat e një shoqërie laike, demokratike, të lirisë, të promovimit të barazisë gjinore dhe të respektimit të drejtave të njeriut.
“Qytetaret vet vendosin për të drejtat e tyre, pasi që të mbërrijnë moshën madhore. Deri atëherë shteti e ka për detyrë që fëmijët t’i edukoj në frymën e rendit tonë shoqërorë kushtetues; të tolerancës, evitimit të ndasive fetare, barazisë gjinore, lojalitetit ndaj rendit shoqëror demokratik si dhe frymën kulturore kombëtare”, ka shkruar ai.
Ibrahimaga ka vlerësuar se mbulesa e femrës është rregull i sheriatit dhe nuk ka të bëjë me kulturën tonë dhe me vlerat e rendit tonë shoqëror të përcaktuara me nenin 7 dhe 8 të Kushtetutës.
“Nëse iniciativa ka synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, atëherë kjo iniciativë ka dështuar qysh në start lidhur me synimin e saj. Kjo iniciativë nuk i promovon të drejtat e njeriut. Nuk mbrohen të drejtat e fëmijëve, nëse prindi lejohet te i’a imponoj fëmijës së tij/saj të mitur mbajtjen e mbulesës/shamisë”, ka theksuar ai.
Ibrahimaga ka thënë se përmes kësaj iniciative mund të mbrohen vetëm të “drejtat” e prindërve për t’i mbuluar vajzat e tyre, të drejtat e grupeve që promovojnë diskriminim e femrave ose të drejtat e organizatave të ndryshme për të promovuar kulturën e vendeve të lindjes në Kosovë.
“Fëmijët kur arrijnë moshën madhore mund të vendosin vet, nëse dëshirojnë të mbulohen. Vlerat tona kulturore, kombëtare si dhe të Kushtetutës kanë epërsi ndaj interesit të individëve ose grupeve për të promovuar kultura dhe vlera të huaja, të cilat nuk janë në harmoni me rendin tonë shoqërorë dhe me kulturën tonë”, tha ai.
Ai ka një lutje për ata që po kërkojnë mbulimin e vajzave të reja.
“Lërini fëmijët të qetë! Vijimi i shkollimit është detyrim ligjor dhe prindërit janë te obliguar me ligj qe të respektojnë këtë detyrim si dhe rregullat e shkollimit në shtetin tonë. Fëmijët do të dinë vet të vendosin se si do të manifestojnë besimin e tyre, pasi të arrijnë moshën madhore”, është shprehur ai. /Demokracia.com/