Lajme
Avokati i Haradinajt: Prokuroria ta ndryshojë qasjen, me xham ndarës po flas me klientin tim
Demokracia
18:12 | 30 Mars 2021

Share:

Avokati i Nasim Haradinaj, Toby Cadman, ka kërkuar nga gjykatësi që të gjendet një zgjidhje sa i përket komunikimit me klientin e tij.

Cadman thotë se komunikimin me Haradinajn e ka bërë herën e fundit nëpërmjet një xhami dhe, siç tha ai, ka pasur vështirësi në marrjen e udhëzimeve sa i përket materialeve.

“Dhe diçka tjetër që kërkoj nga ju i nderur gjykatës është qasja te klientët tanë. Ne tani kemi vështirësi në marrjen e udhëzimeve të tyre për materialet, sepse të gjitha këto biseda që bëjmë, bëhen nëpërmjet një xhami ndarës në mes. Duke pasur edhe kohë shumë të kufizuar, është e pamundur të kemi diskutime domethënëse me klientët tanë. Kërkoj ndërhyrje nga gjykata që të bisedojë me njësinë e paraburgimit, sepse në vizitën e fundit që i bëra z. Haradinaj nuk mund t’ia jepja atij dokumentet përtej xhamit. Nuk është kjo mënyra për të vazhduar punën me klientët tanë”, ka thënë Cadman, transmeton Demokracia.com.

Pas kësaj kërkese, gjykatësi ka kërkuar nga sekretarja që të njoftohet administratorja për këtë kërkesë, e cila është parashtruar nga avokati i Haradinajt.

Avokati Cadman kërkoi, po ashtu, të ndryshojë edhe qëndrimi i Prokurorisë në mënyrë që të bashkëpunohet.

“Prokurori duhet të ndryshojë komplet çështjen e saj. Dhe ajo buzëqeshja apo nënqeshja e tyre kur dëgjojnë kërkesat tona nuk ndihmon në marrëdhëniet mes nesh. Duhet të ketë një ndryshim thelbësor në qëndrimin e tyre në mënyrë që të ketë bashkëpunim”, ka theksuar ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme