Lajme
Avokatët serbë kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të BQK për dinarin
Demokracia
14:00 | 20 Shkurt 2024

Share:

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës sapo është dorëzuar kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ndër të tjera e përjashton dinarin nga qarkullimi i pagesave dhe i cili ka hyrë në fuqi ditën e parë të këtij muaji, ka konfirmuar një nga avokatët për portalin “KoSSev”. Kërkesa kërkon pezullimin e Dekretit, derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim, pra ta konfirmojë se i njëjti është kushtetues ose ta hedh poshtë.

Kjo kërkesë me të cilën kundërshtohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Dekretit, por edhe kërkohet që Dekreti të vlerësohet për shkak të efektit të dëmit të shkaktuar vetë qytetarëve, pra për shkeljen e të drejtave të tyre themelore të njeriut, është dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese nga një avokat nga Gjilani, Vasillije Arsiq, transmeton Paparaci.

Përndryshe kërkesa është përpiluar nga një ekip katër anëtarësh në të cilin, përveç Arsiqit, janë edhe Dragutin Neneziq, Aleksandar Radovanoviq dhe Dushan Çelliq.

Në kërkesë para së gjithash theksohet se Dekreti nuk është në përputhje me nenet 7, 11, 22, 23, 24, 25, 46, 49, 51, 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenin 16 të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës.

Ankesa kryesore e avokatëve në këtë kërkesë ka të bëjë me nenin 35 të Rregullores së BQK-së, i cili parasheh euron si valutë të vetme për transaksionet e pagesave me para të gatshme dhe sistemet e pagesave në Kosovë në kuptim të “nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenet 16, 17 dhe 18 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Në kërkesën e dorëzuar sot, pretendohet se ky Dekret bie ndesh me dispozitën kushtetuese sepse kjo çështje duhet të rregullohet qartë me ligj, e jo me akt të BQK-së.

“Është e qartë se dekreti rregullon çështjen për të cilën parashihet se duhet të rregullohet me ligj, sipas Kushtetutës, gjë që paraqet shkelje drastike të postulateve themelore të shtetit të së drejtës. Një dekret i tillë shprehimisht është në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tillë nuk mund të mbijetojë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, pretendohet në kërkesë.

Të ngjashme