Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ia ka bërë një vend pune bashkëpartiakut të tij, Avni Zogianit. Demokracia.com ka mësuar se ai tashmë është emëruar si këshilltar për ekonomi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Zogiani për Demokracia.com.
Sa për ta marrë një pagë, Avni Zogiani në të kaluarën ishte emëruar këshilltar i Agim Bahtirit, ndonëse thuhej se nuk shkonte asnjëherë në punë në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Më pas, Zogiani ishte emëruar edhe zëvendësministër në Qeverinë Kurti 1.
Megjithatë, me aq nuk kishte përfunduar karriera e tij politike, shkruan Demokracia.com.
Avni Zogiani tani është emëruar këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Se tashmë ai është bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, për Demokracia.com e ka konfirmuar edhe vetë Zogiani.
“Po jam emëruar. Jam emëruar para disa ditëve si këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca”, ka treguar ai për Demokracia.com.
Me marrjen e pozitës së re, Zogianit duket se i është rikthyer edhe kurajo dhe ai dje na është shfaqur sërish në debate televizive, duke e mbrojtur me fanatizëm keqmenaxhimin e Qeverisë Kurti.
Zogiani kujtohet si konsumues i duhanit në ambientin e mbyllur të Kuvendit të Kosovës, duke mos i përfillur ligjet në fuqi.
Ai tani është rikthyer sërish në këto ambiente, por si këshilltar i kreut të këtij institucioni. /Demokracia.com/