Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në një intervistë të shkurtër për Demokracia.com i ka komentuar ngjarjet e djeshme që ndodhën në veriun e Kosovës.
Spahiu u shpreh se sulmi terrorist në veri të Kosovës ishte paralajmëruar tre ditë më herët nga presidenti serb Aleksander Vuçiq në foltoren e OKB-së.
Ish-diplomati kosovar komentoi propozimin e Edi Ramës në lidhje me mbajtjen e një konference ndërkombëtare paqësore për Kosovën dhe Serbinë.
Sipas Spahiut, ky propozim i Ramës është një shërbim i keq për Kosovën.
INTERVISTA E PLOTË E AVNI SPAHIUT PËR DEMOKRACIA.COM:
- Si e komentoni atë që ndodhi dje në veri të Kosovës?
Sulmi terrorist në veri të Kosovës ishte paralajmëruar tri ditë më parë nga Presidenti serb, Vuqiç në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Mbrëmë ai përsëriti akuzat e njëjta kundër autoriteteve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare ndonëse me ndjenjën e një fajtori të zënë me lak në dorë. Akti terrorist nga banditë serbë që kishte për qëllim, si në shumë raste në të kaluarën, ta fuste Kosovën në një cikël dhune dhe të shtronte udhën për ndërhyrje nga Serbia mbi territorin e Kosovës me pretekstin putinian për “mbrojtje të serbëve” dhe për domosdonë e themelimit të “Asociacionit” serb dështoi. Dështimi i skenarit të Vuqiçit është përgjigja më e mirë për zjarrvënësin e Beogradit dhe dëshmi për gatishmërinë kosovare për të mbrojtur vendin nga çdo akt terrorist dhe agresion. Si dhe dëshmi për pathyeshmërinë e policisë së Kosovës.
- Si e keni parë reagimin e faktorit ndërkombëtar?
Sulmi agresiv terrorist në territorin e Kosovës kundër policisë dhe sovranitetit të vendit dënua unanimisht nga bashkësia ndërkombëtare. Reagimet, të paktën nga vendet europiane dhe nga Shtetet e Bashkuara u dënuan si sulme të papranueshme me kërkesën për ndëshkimin e kriminelëve. Pamjet e arsenalit të armatimit të bandave serbe i shtuan shqetësimit të shprehur ndërkombëtar se paqja në Kosovë ishte seriozisht e rrezikuar nga grupe të armatosura serbe që kishin për qëllim destabilizimin dhe konfliktin ushtarak. Është fakt se bashkësia ndërkombëtare, pa asnjë ekuivok, e ka të qartë se kush është fajtori dhe destabilizuesi i veriut të Kosovës, që po vazhdon tash një kohë të gjatë. Të gjithë tani e kanë të qartë se Kosova është në të drejtën e saj dhe kanë shprehur mbështetje për qeverinë e Kosovës. Komentimi i këtij akti terrorist në disa nga mediat botërore përvijon faktin se në veri tanimë ka një realitet tjetër që do të reflektohet edhe në pozicionin negociues të Kosovës dhe në domosdonë për një qasje tjetërfare të bashkësisë ndërkombëtare. Kosova u dëshmua si shtet serioz, që është në gjendje t’i dalë zot mbrojtjes së vendit, si një shtet demokratik por edhe me përgjigje adekuate ndaj çfarëdo sulmi terrorist dhe destabilizues…..
- Si e shihni propozimin e Edi Ramës për një konferencë ndërkombëtare paqesore për Kosovën e Serbinë?
Në të vërtetë vetë reagimi i kryeministrit Rama ishte paksa befasues për nga “butësia” e tij dhe nga takti për të mos lënduar palën serbe. Përkundër reagimit të vendeve të tjera, reagimi i Ramës nuk ishte as së afërmi çfarë duhet të jetë një lider i vendit që “e ka për detyrë” të mbështesë Kosovën. Është për t’u habitur se pse kryeministri shqiptar nuk e quan këtë akt ashtu siç ishte: akt terrorist i orkestruar nga Beogradi. Për më tepër, propozimi që ai bën për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës. Koha e konferencave ndërkombëtare ka marrë fund atë ditë kur Kosova shpalli pavarësinë dhe kjo u njoh nga bashkësia ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Një konferencë ndërkombëtare, ku do të merrte pjesë edhe Rusia e të tjerë kundërshtarë dhe skeptikë ndaj pavarësisë së Kosovës do të thoshte hapje e pakos për statusin e Kosovës… Ky propozim nuk mendoj se do të kishte mbështetje as tek partnerët tanë që sponsorizuan pavarësinë e Kosovës dhe shtetësinë e saj.
- A ishte reagimi i duhur i z. Lajçak dhe z. Borrell pas ngjarjeve në veri?
Reagimi i “europianëve” ishte në frymën e deritashme të paqartësisë dhe rezervimit. z. Borrell përmban disa nga vlerësimet që mbajtën kryesisht vendet e BE-se dhe Shtetet e Bashkuara, ndonëse i thënë me “druajtje” dhe konsideratë për palën tjetër, duke ftuar “të gjithë aktorët që të punojnë për të de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës”. Nuk emërohen shkaktarët dhe dënimi i tyre me emër. Edhe Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ishte po aq i paqartë, si gjithnjë. Reagimi i z. Lajçak ishte akoma më i diskutueshëm dhe kontrovers duke i ikur çfarëdo përmendje të shkaktarit të vërtetë të sulmit terrorist. “Për mua nuk ka rëndësi nga vijnë viktimat dhe autorët”, tha ai me një manifestim të qartë të mungesës së plotë të moralit njerëzor. Madje ai thekson se do të bëjë çmos “për të gjetur rrugën për dialog” pa thënë se dialogu tashmë do të ballafaqohet me dilema të mëdha dhe kthesa të papritura për të…
Gazetari: Çlirim Qeriqi /Demokracia.com/