Lajme
Avioni turk nuk niset në Izrael, pasagjerët morën foto kërcënuese
Demokracia
23:05 | 10 Maj 2022

Share:

Kapiteni i një avioni turk të kompanisë “AnadoluJet” anuloi nisjen në aeroportin kryesor të Izraelit pasi pasagjerët morën në telefonat e tyre imazhe avionësh të aksidentuar.

Autoriteti i aviacionit izraelit bëri me dije se avioni po lëvizte në pistën e aeroportit “Ben Gurion” dhe po bëhej gati për nisje, kur incidenti ndodhi. Menjëherë pasagjerët dhe ekuipazhi u evakuuan ndërsa avionit iu bë një kontroll i imtësishëm.

Disa të rinj izraelitë u identifikuan si të dyshuar dhe po merren në pyetje, ndërkohë që avioni u nis me pesë orë vonesë.

Aeroplani Boeing 737, me 160 pasagjerë në bord, ishte rrugës për në pozicionin e ngritjes kur pasagjerët njoftuan ekuipazhin se kishin marrë fotot. Menjëherë u informua kapiteni i cili vendosi të kthehej në terminal.

Faqja e lajmeve “Ynet” raportoi se imazhet u shpërndanë përmes AirDrop, një shërbim i Apple që u mundëson përdoruesve të dërgojnë skedarë nga një pajisje Apple në tjetrën në distanca të shkurtra.

Fotot përfshinin imazhe të një avioni të Turkish Airlines i cili u rrëzua në Holandë në 2009 dhe një tjetër aksidenti ajror në Shtetet e Bashkuara në 2013.

Të ngjashme