Një avion i mallrave, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviq tha se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”.
Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.
Stefanoviq tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera. Ai shtoi se mendon se anëtarët e ekuipazhit ishin ukrainas, por nuk ka informacione për këtë çështje.
Stefanoviq pranoi se avioni fluturoi nga aeroporti i Nishit, afër qendrës ruse të spiunazhit që ata i thonë qendra humanitare serbo-ruse.
Ka shumë të ngjarë që avioni të ketë qenë rus, pasi që Serbia është i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Vetë ministri serb “rrëshqiti” në konferencë për media kur tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën.
Serbia, edhe pse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.