Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK-ja, ka pranuar humbjen duke marrë edhe përgjegjësinë për këtë rezultat.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tashmë ka pranuar humbjen e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur të dielën më 14 shkurt, raporton Demokraica.com.
Është kandidati i këtij subjekti për kryeministër, Avdullah Hoti, një herësh edhe kryeministër në detyrë, i cili përmes një konference për medie, ka marrë përgjegjësinë për këtë rezultat të LDK-së.
“Ne kemi marrë vlerësimet preliminare dhe kjo tregon për kulturën tonë demokratike që tashmë është vendosur në proceset tona zgjedhore dhe dëshirojë t’i falënderoj të gjithëve. Ju falënderoj për besimin e dhënë, sigurisht rezultatet preliminare që kemi marrë nga shtabet tona janë tjera nga ato që kemi pritur edhe që kam pritur personalisht në këto zgjedhje. Prandaj unë sot para jush dëshiroj të shpreh qartë që e marrë përgjegjësinë e plotë për këto rezultate zgjedhore të LDK-së. Në ditët në vijim unë do të diskutojë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi timen në këto zgjedhje. Unë pres që KQZ-ja sa më parë të mbyll procesin e numërimit dhe certifikimin e rezultateve në mënyrë që ti hapet rrugë krijimit të institucioneve. I jam mirënjohës LKD-së që më ka dhënë besimin gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Hoti, raporton më tutje Demorkacia.com.
Tutje, Hoti ka thënë se gjatë kohës sa do të ushtrojë postin e kryeministrit ai do të kujdeset për mbarëvajtjen e punës në qeveri dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet deri në krijimin e qeverisë së re.
Theksojmë se në bazë të rezultateve të deritanishme LDK-ja e Isa Mustafës radhitet e treta. /Demokracia.com/