Lajme
AUV pezullon lejen e “Melii Farm” Sh.P.K. – Kompania nuk raportoi 2965 gjedhe të futura në Kosovë
Demokracia
19:44 | 07 Maj 2025

Share:

Një nga kompanitë që u përfshi në listën e operatorëve me leje të pezulluara për import të kafshëve të gjalla rezulton të jetë “Melii Farm” Sh.P.K., e cila nuk kishte raportuar në sistemin zyrtar 2965 krerë gjedhe të futura në Kosovë për therje.

Më 18 prill, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, njoftoi publikisht për pezullimin e licencave të 28 kompanive, duke akuzuar se me dekada janë importuar kafshë me dokumente të falsifikuara – një rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe një burim evazioni fiskal në vlerë qindra milionëshe.

Por, megjithëse Peci u shpreh krenar për vendimet e AUV, ato duket se patën jetë të shkurtër. AUV ka nisur të shfuqizojë shumicën e këtyre vendimeve, duke u dhënë “një shans të dytë” operatorëve ekonomikë.

Përmes një kërkese për Qasje në Dokumente Publike, Veriu.info ka siguruar vendimet për pezullimin e lejeve të importit, ankesat e kompanive, raportet e shqyrtimit dhe deklaratat nën betim të importuesve të kafshëve të gjalla.

Nga dokumentet e siguruara, del se më 14 prill 2025, drejtori ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, ka nënshkruar vendimin për pezullimin e “Regjistrimit të Importit të Kafshëve të Gjalla” për kompaninë “Melii Farm” Sh.P.K., me adresë në fshatin Sallabaj të Podujevës dhe person përgjegjës Mensur Bunjaku. Në vendim, thuhet se kompania pezullohet nga sistemet elektronike “FCMS” dhe “TRACES”.

Arsyetimi i vendimit bazohet në një raport të Udhëheqësve të Inspektoratit Veterinar, të datës 4 prill. Sipas këtij raporti, “Melii Farm” Sh.P.K., gjatë periudhës tetor 2024 – mars 2025, kishte importuar 79 dërgesa me 3119 gjedhe për therje në thertore të licencuara – brenda afatit ligjor prej 72 orësh. Por kompania kishte raportuar vetëm 154 prej tyre si të therura. Mungesa e raportimit për 2965 krerë është shqetësuese dhe ka nxitur pezullimin e lejes.

Edhe pse AUV nuk ka dërguar dokumente shtesë për këtë kompani, burime të Veriu.info brenda agjencisë konfirmojnë se ankesa e “Melii Farm” Sh.P.K. është ende në shqyrtim.

Sipas ligjit, mos-raportimi i therjeve në sistemin elektronik i lejon operatorëve ekonomikë të manipulojnë me procesin – qoftë duke nxjerrë kafshët në treg pa i therur, qoftë duke i therur jashtë afateve, çka shmang mbikëqyrjen e inspektorëve dhe krijon rrezik për shëndetin publik.

Ministri Peci e përshkroi këtë situatë si goditje ndaj “hallkës më të fortë të zinxhirit të importuesve të kafshëve në Kosovë”, duke theksuar se dëmi financiar për shtetin arrin në qindra milionë euro.

Të ngjashme