Lajme
Autostrada e Gjilanit s’u kry: Gënjeshtra e Kurtit dhe historia famkeqe e kësaj rruge
Demokracia
12:04 | 09 Janar 2024

Share:

Ka shumë rrugë në Kosovë që kanë histori të bujshme, por njëra që s’kryhet kurrë, është Autostrada e Gjilanit. Ajo ishte paraparë të kryhej qysh në vitin 2021. Megjithatë, vitin që lamë pasë, kryeministri Albin Kurti, e mori përsipër premtimin se rruga kryhet në atë vit. Por, siç edhe kishte raportuar Periskopi, ky premtim i Kurtit doli të jetë veç një dështim tjetër i njërit ndër projekteve kapitale.

Cila është historia famkeqe e dallavereve dhe aferave korruptive – sherri i të cilave, s’po shihet dritë në fund të autostradës?

Historia e dhimbshme e kësaj autostrade, që i ka vec 22 kilometra, merr përmasa të krimit.

Tenderi i rrugës famkeqe ka histori kurdisjesh që kur qeverinë e kishte zoti Ramush Haradinaj, por në kurdisje po sharron edhe pushteti aktual i udhëhequr nga Albin Kurti.

Kurti i bindur ishte shprehur në muajin korrik, kur me një pjesë të kabinetit qeveritar dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit i kishte vizituar punimet e ku bazoi premtimin e tij në përqindje, duke e xhiruar edhe me dron punimet atje.

Ai tha se 70% e punëve në këtë autostradë, veç ishin kryer.

Problemi është se droni i kryeministrit, kishte filmuar vetëm 3 lote – ose tri pjesë të rrugës. Për këtë, Periskopi pati vizituar këtë rrugë, dhe duke e dokumentuar me fakte, ishte parë se s’bëhet fjalë për 70 për qindëshin e punëve të kryera.

Cilat janë dyshimet që lidhen me korrupsion?

Periskopi ka gjetur se në fund të vitit të 2022, Ministria e Liburn Aliut ka bërë pagesa për 70% të punëve të kryera, ani pse punët s’janë kry në këtë përqindje.

Dyshimet janë se janë dhënë pare avanc dhe kjo bjen ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik, pasi s’mund të lëshohen pagesa për punët që s’janë kry.

Një shprehje shumë e urtë popullore, thotë se parja e çon ujin përpjetë, por në autostradën e Gjilanit, ani pse dyshimet janë se parja është dhënë në kundërshtim me ligjin, ato s’mjaftuan as me e ça bjeshkën.

Për shumën e pagesës mbi 6 milionë euro që ishte dhënë për një lot – apo pjesë rruge – e rruga s’ishte kurrkund, është evidentu edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për autostradën e Gjilanit, Periskopi ka raportuar edhe për një aferë korrupsioni që peshon hiç më pak se 379 mijë euro.

Në patëm raportuar, se Ministria e Liburn Aliut, ka bërë një pagesë fiktive në llogarinë e kompanisë 2A GRUP.

Dyshimet ishin se kompania kishte ofruar faturë të falsifikuar duke mashtruar Ministrinë e Aliut në vlerë prej hic më pak se  379 mijë euro.

Periskopi ka raportuar dhe ka publikuar krejt dokumentet e siguruara nga sinjalizuesit, të cilat tash janë bërë brum për drejtësinë.

Edhe zullumi korruptiv për autostradën e Gjilanit, nuk mbaron me kaq.

Periskopi pati gjetur se segmenti 2 i rrugës, nuk ishte shtruar me cilësinë e kërkuar në kontratë.

Telashet e kësaj autostrade të shkaktuara në këtë segment, nga kompania që kishte ofruar faturë afër gjysmë milionë euro me punën jocilësore, përfundojnë në një laborator në Kroaci, i cili poashtu konstaton cilësinë e keqe të asfaltit.

Kujtojmë se, tenderi për këtë autostradë ishte hapur në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës.

Projektin më pas e nis Pal Lekaj si ministër.

Edhe në atë kohë, autostrada shkon n’Prokurori. Qeverisja e AAK-se kishte anuluar tenderin për të shpallur fitues të ri më pas.

Ata fitues, ishte konstatuar se nuk i kishin përmbushë kriteret për çka procesi përfundon në Prokurori Speciale me aktakuza ndaj disa personave në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ani pse qytetarët e Anamoravës, janë ndër të rrallët që kanë ndërru pushtete lokale, së fundmi duke ia besuar pushtetin partisë së Albin Kurtit, ëndrra e tyre për ta parë autostradën e jetësuar, duket se do të kalojë nëpër shumë filtra të drejtësisë.

Autostrada vitale që nuk prekë veç qytetarët e kësaj ane, në vend se të gërryhej me punë nga bagerët, ka 5 vjet që gërryhet nga histori korruptive – nga qeverisjet e kaluara dhe kjo qeveri.

Të ngjashme