Intervista
Autoriteti i Konkurrencës po i heton tri ndërmarrje në Kosovë, dyshohet për marrëveshje të dyshimta
Demokracia
10:08 | 06 Gusht 2023

Share:

Autoriteti i Konkurrencës aktualisht i ka nën llupën e saj disa ndërmarrje vendore, siç janë “Art Motion”, “Kujtesa”, KEDS&KESCO, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa.

Krahas shqiptimit të gjobave, Beqa thotë se të gjitha rastet që i heton ky institucion sfidohen në Gjykatë. E numri i gjobave që i shqipton ky institucion nuk është edhe i vogël, pasi 14 kompani që operojnë në tregun e sektorit të naftës janë dënuar. E shuma totale e dënimit kap shifrën e katër milionë eurove.

Shkak për nisjen e hetimeve ndaj dy operatorëve privat në Kosovë, ndërlidhen me marrëveshjet e dyshimta mes vete.

“Kemi hapur hetim ndaj ‘Art Motion’ dhe ‘Kujtesa’ mbi bazën e dyshimit për marrëveshje të ndaluar ndërmjet tyre dhe mosparaqitje të notifikimit të përqendrimit. Jemi në procedurë e sipër tashmë ndaj këtyre dy ndërmarrjeve, po ashtu jemi duke i monitoruar edhe ndërmarrjet tjera të cilët janë dhe afarojnë në këtë treg. Jemi ende në procedurë hetimore, ne kemi thënë në konkluzionin i cili është publik mbi bazën e elementeve të marrëveshjeve të ndaluara dhe mosparaqitjes së notifikimit të përqendrimit në autoritetit kemi hapur hetim, tashmë po vazhdojnë hetimet dhe grupet e punës po merren aspektet e tjera”, u shpreh Beqa duke mos dhënë shumë detaje për këtë rast, pasi siç thotë janë ende në fazën fillestare të hetimeve.

Krahas kësaj, Heta ka treguar edhe për ndërmarrjet tjera që janë duke i hetuar. Thotë se ndërmarrja KEDS&KESCO dyshohen për marrëveshje të ndaluar dhe shkëmbim të informacioneve ndërmjet konkurrentëve. Kjo sipas tij ka ndodhur në vitin 2020.

“Në vitin 2020, pas procesit të shthurjes, me që më duhet ta theksoj faktin që tregu i energjisë është treg i rregulluar dhe mbikëqyret nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë, mirëpo ne kemi vërejtur elemente dhe sjellje jo shumë konkurruese në këtë fakt dhe mbi bazën e kësaj kemi hapur hetim në vitin 2020 për procesin e shthurjes elementet e marrëveshjes së ndaluar dhe shkëmbim të informacioneve ndërmjet konkurrentëve në atë kohë dhe jemi në fazën e procedurës hetimore edhe për këtë rast ndonëse është vazhduar pak, por situata nga pandemia në kriza të tjera globale që kanë ndodhur lufta në Ukrainë dhe tashmë kriza e madhe me çmimet e energjisë, kanë diktuar faktin që procedura hetimore të vazhdojë dhe të na marrë kohë pak më shumë siç duhet”, thotë Beqa.

Beqa ka vlerësuar bashkëpunimin që e kanë me institucionet gjyqësore. Thotë se të gjitha rastet e AK-së sfidohen në Gjykatë.

“Në kuadër të kësaj kemi pasur takime të frytshme dhe të mira me institucione rregullatore siç është ARKEP, MINT, KPM-ja dhe institucione tjera. Në kuadër të kësaj, kryetarja ka zhvilluar një sërë takimesh me BQK-në, KPK-në, KGjK-në e kështu më radhë, të cilët do ta ndërlidhin punën tonë dhe mbi bazën e kësaj jemi në proces të draftimit të marrëveshjes së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, ndonëse nuk na mungon. Rastet e Autoritetit të Konkurrencës sfidohen në Gjykatë”, u shpreh ai, teksa tregoi edhe për numrin e gjobave të shqiptuara nga ky institucion.

“Pothuajse të gjitha. Në jetën e tij, Autoriteti i Konkurrencës ka shqiptuar së fundmi 14 dënime ndaj 14 kompanive e të cilët operojnë në tregun e sektorit të naftës, me shumën totale me një gjobë prej 4 milionë euro dhe ajo është duke u sfiduar në Gjykatën Komerciale”, thotë Beqa për EO.

Të ngjashme