Një dron ushtarak është rrëzuar sot në lagjen “Bair” të Mitrovicës.
Mediat kanë spekuluar në forma të ndryshme lidhur me pronësinë e këtij droni, duke ngrehur dyshime se mund të jetë edhe i ushtrisë serbe. Megjithatë, nga përvoja e përdoruesve të dronëve është e pamundur të fluturojë një dron i tillë gjigant, pa dijeninë e KFOR-it mbi hapësirën ajrore që kontrollohet prej tyre.
“Edhe dronët shumë më të vegjël se ky, sa herë që ngrihen në hapësirë pa lejen e KFOR-it apo të Autoritetit të Aviacionit Civil, që i njoftojnë rregullisht KFOR-in për lejet që lëshojnë, i sinjalizojnë pajisjet e KFOR-it, se lëre më një dron i këtyre përmasave”, ka thënë Arbër Bardhi, përdorues i rregullt i dronëve, për Demokracia.com.
Një dron i madh, që dyshohet të jetë ushtarak, rrëzohet në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë
Lidhur me këtë dron nuk kanë informacione as Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.
“Sapo e pamë në lajme. Nuk kemi ndonjë informacion aktualisht. Nuk e dimë se pronë e kujt është”, ka thënë Bujar Ejupi për Demokracia.com, i cili është Drejtor i Aviacionit Civil.
Sipas përdoruesit të rregullt të dronëve, Arbër Bardhit, nëse një dron i tillë arrin të fluturojë mbi hapësirën ajrore pa dijeninë e KFOR-it, atëherë ky do të ishte një dështim total për vetë KFOR-in, prandaj është e natyrshme të besohet se droni është i KFOR-it.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me KFOR-in dhe tani është në pritje të një përgjigje prej tyre.
Rrëzimi i dronit në Mitrovicë, dëshmitari jep versionin e tij