Kryetari i Parlamentit të Austrisë Wolfgang Sobotka deklaron se vendi i tij do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Në një intervistë ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar gjatë vizitës së tij të shkurtër në Tiranë, kryeparlamentari austriak e vuri theksin te nevoja e zgjidhjes së konfliktit mes palëve dhe lënia pas e së shkuarës. Një bazë e mirë për këtë mund të jetë shembulli mes Austrisë dhe Italisë në lidhje me Tirolin e Jugut.
Pyetur nëse do e mbështesë ose jo Austria aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, Sobotka u shpreh se ‘“Padyshim që po, por nuk është vetëm kjo. Shikoni kur isha ministër i brendshëm luftova për liberalizimin e vizave me Kosovën. Atëherë nuk patëm sukses, tashmë kjo do të ndodhë. Ne e mbështesim anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës, por ne duhet natyrisht që të zgjidhim me palët këtë problem rajonal mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm kur ai të jetë zgjidhur prej tyre prej kompetencës së tyre të zgjidhjes, atëherë do të jetë më e lehtë për palët të gjejnë rrugën te njeri tjetri por do të jetë edhe më e lehtë për të gjetur rrugën drejt Bashkimit Europian. Ky konflikt është patjetër një pengesë, por mos harroni që ne kemi në BE edhe konflikte të tjera, mes etnive dhe pakicave. Është një temë që nuk e kemi vetëm prej Ballkanit në tavolinë, por si një shembull i mirë mund të shërbeje Tiroli Jugut”, u shpreh Sobotka.
Kryeparlamentari Austriak theksoi gjithashtu se rruga për në Bashkim Europian do të jetë e gjatë dhe jo e lehtë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Po por edhe Austrisë i është dashur një kohë e gjatë. Është një rrugë që nisi për ne shumë herët në vitet 70 dhe u finalizua në vitin 1994.Do të thotë që ky proces afrimi dhe përafrimi nuk është një çështje vetëm e kërkesave të Bashkimit Europian, por është edhe një çështje e vendeve të cilat duhet të përshtatin edhe sistemet e tyre të drejtësisë apo shtetërore me BE-në. Kështu edhe ne e shohim për shembull që ajo çfarë ka bërë Shqipëria në aspektin e sistemit të drejtësisë është për tu marrë shembull, por ka çështje si ajo e mediave, përshembull shohim në raportet e shkruara se ka ende diçka për të bërë në lidhje me lirinë e mediave apo pavarësinë e tyre. Apo në luftën kundër korrupsionit palët kanë ende shumë për të bërë”, tha ai.
Kryeparlamentari Austriak ishte në Tiranë në një vizitë disa orëshe ku përshëndeti edhe parlamentin e Shqipërisë në një seancë të veçantë plenare. /RTSH