Lajme
Ministria e Artane Rizvanollit ua dha mbi 93 mijë euro si paga 18 punonjësve serbë, as zyre pune nuk u siguroi
Demokracia
12:42 | 27 Maj 2022

Share:

Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin për vitin 2021 për Ministrinë e Ekonomisë, ka gjetur shumë parregullsi.

Sipas raportit të ZKA-së nga testimet e kryera në fushën e pasurisë është identifikuar se vlera e prezantuar në Pasqyrat Vjetore Financiare nuk kishte përputhje, pasi që në disa raste ishte mbivlerësuar.

“Nga testimet e kryera në fushën e pasurisë, kemi identifikuar se vlera e pasurisë e prezantuar në PVF nuk ishte e saktë dhe e plotë pasi që pasuria ishte mbivlerësuar për 7,669,939€, përderisa në anën tjetër ishte nënvlerësuar për 42,234€, parregullsitë janë si në vijim: Ndërtesa në vlerë neto 7,656,844€ e N.P “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica Sh.A”, ende figuron në regjistrat e pasurisë së ME-së[4].  Shpenzime të internetit në vlerë 9,995€ ishin regjistruar si pajisje e IT-së. Pesë pajisje GPS në vlerë 3,100€ (me çmim për njësi 620€) ishin regjistruar në regjistrin në SIMFK edhe pse nuk janë pasuri kapitale. Të njëjtat ishin regjistruar edhe në sistemin e-pasuria. Një pajisje në vlerë 4,600€ për Laboratorin e Shërbimit Gjeologjik nuk ishte regjistruar në SIMFK si dhe dy pasuri jo kapitale në vlerë 2,982€, të blera gjatë vitit 2021 (furnizime me kompjuter dhe mobile) nuk ishin regjistruar në sistemin e-pasuria”, thuhet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.

“Pasuria kapitale ‘Furnizim me pajisje SEM për laboratorin e Shërbimeve gjeologjike të Kosovës’ me vlerë bruto prej 498,987€ ishte zhvlerësuar duke aplikuar datën e nënshkrimit të kontratës dhe jo datën e pranimit të mallit dhe kjo ka ndikuar që vlera e kësaj pasurie të nënvlerësohet për 34,652€”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.

ZKA ka rekomanduar Ministrinë e Ekonomisë që “të sigurojë regjistrimin e plotë dhe të saktë të pasurisë si dhe azhurnimin e regjistrave me qëllim që shpalosjet në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2022 të jenë të sakta dhe të prezantojnë pamje të drejtë”.

Me këtë rekomandim është pajtuar edhe menaxhmenti i këtij institucioni.

Një e gjetur tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit është se në kuadër të marrëveshjes për integrim në Ministrinë e  Ekonomisë janë të punësuar 18 punonjës serbë, të cilët marrin pagë të rregullt dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet brenda kësaj ministrie.

“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në Ministrinë e Ekonomisë përmes akt-emërimeve janë të punësuar 18 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 93,435€”, thuhet në raportin e ZKA-së, përcjell Demokracia.com.

ZKA ka rekomanduar se ministrja duhet t’i ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte të punës dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm, siç parashihet me aktet ligjore.

Po ashtu, edhe me këtë rekomandim është pajtuar menaxhmenti.

ZKA ka gjetur mos-harmonizim edhe mes raportit të inventarizimit me regjistrat e pasurisë dhe dobësi në menaxhimin e pasurisë.

“ME vazhdon t’i mbajë si investime në vijim projektet kapitale[5] të cilat kanë përfunduar dhe është bërë pranimi teknik i tyre, këto projekte ishin realizuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren. Vlerë totale e tyre ishte 2,724,523€. Sipas zyrtarëve përgjegjës në ministri kjo kishte ndodhur për shkak se ME ka paqartësi lidhur me pronësinë e këtyre pasurive dhe ende nuk është definuar nëse këto pasuri duhet të barten apo të mbeten pronë e ME-së. Po ashtu, ME vazhdon t’i mbajë si investime në vijim edhe tri projekte [6] kapitale të realizuara për organizatat tjera buxhetore, edhe pse ishin përfunduar dhe ishte bërë pranimi teknik i tyre nga komisionet përkatëse. Vlera totale e tyre ishte 1,315,456€. Gjashtë pajisje të Laboratorit të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës në vlerë 35,475€ të pranuara në muajin tetor të vitit 2020, ishin regjistruar si investim në vijim dhe si rezultat i kësaj nuk ishte llogaritur zhvlerësimi në vlerë 6,898€. Mangësitë e identifikuara ishin rezultat i funksionimit jo të mirë të kontrolleve të brendshme. Ndërsa, për të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit është pajtuar Ministria e Ekonomisë”, thuhet tutje në raport.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pranuar edhe draftin e raportit për auditimin e pasqyrës Financiare të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2021, e cila është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet.

Rizvanolli është zotuar se do t’i zbatojnë rekomandimet e ZKA-së.

“Brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final do t’ju dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”, thuhet në shkresën e Rizvanollit. /Demokracia.com/

Të ngjashme