Pas zyrtarizimit në ditën e fundit të merkatos, sot Pierre-Emerick Aubameyang është prezantuar si futbollist i ri i Barcelonës.
Sulmuesi nga Gaboni e kompletoi transferimin e tij nga Arsenali në afatin kalimtar të janarit, shkruan Demokracia.com.
Pas prezantimit në “Camp Nou” në praninë e presidentit të klubit, Joan Laporte, Aubameyang ka folur për herë të parë si lojtar i kësaj skuadre.
Ai është shprehur i lumtur me kalimin e tij te Barça, ndërsa tha se është nder për të të mbajë veshë fanellën e klubit.
“Jam shumë i lumtur dhe falënderoj presidentin që më mori në skuadër. Mezi pres që të zbres në fushë, do të jap maksimumin. Duhet të falënderoj klubin, pasi është një nder që të luash për Barcelonën”, u shpreh fillimisht Aubameyang.
“Detyra ime është të bëj gola, jam një sulmues i shpejtë. Shpresoj të ndihmoj skuadrën me golat e mi, shpresoj të shënoj shumë gola për Barçën. Ky është një klub i madh, që duhet të fitojë Ligën e Kampionëve. Do të bëjmë gjithçka që të rikthehemi në majë”.
“Ka kohë që nuk luaj, por në kokën time e di që shumë shpejt do të jem në fushë për të luajtur dhe ndihmuar skuadrën. E di që ngadalë do të rikthehem në formën optimale”.
“E hëna ka qenë një ditë shumë e gjatë. Isha me babanë në shtëpinë e tij, duke shpresuar që gjithçka të shkonte mirë. Pasdite më morën në telefon për të kryer vizitat mjekësore. Kisha pak stres, por gjithçka shkoi mirë”, tha tutje Aubameyang./Demokracia.com/