Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), tashmë ka siguruar një softuer përmes të cilit përpunohen informatat për prejardhjen e veturave të shtrenjta që posedojnë qytetarët e ndryshëm në Kosovë dhe për të njëjtat prodhon raste varësisht prej deklarimeve tatimore që kanë bërë blerësit e tyre, shkruan Demokracia.com.
Kosovarët po blejnë vetura luksoze. Kryesisht disa këngëtarë, kohëve të fundit, kanë deklaruar se kanë blerë vetura më çmime marramendëse, madje deri në 500 mijë euro.
Redaksia e Demokracia.com ka dërguar pyetje në ATK për të mësuar se “në sa raste deri më tani është gjetur mospërputhje nga deklarimet e subjekteve në ATK, bazuar në veturat e shtrenjta që janë blerë dhe sa ka qenë vlera më e shtrenjtë e veturës në të cilën ATK ka proceduar rast”. ATK-ja ka refuzuar të përgjigjet.
Administrata Tatimore e Kosovës së fundmi ka në posedim një mekanizëm ekskluzivisht për verifikimin e blerjeve të veturave luksoze. Ky institucion nuk kanë pranuar të përgjigjet as sesi funksionin ky mekanizëm.
Nëpërmjet Ambasadës Britanike në Kosovë mësohet se ATK-ja ka siguruar një softuer përmes të cilit gërshetohen shumë informata dhe ato si të tilla përpunohen dhe më pas prodhohen raste.
Njëra prej rasteve është edhe verifikimi i veturave të shtrenjta. Në rastet kur konfirmohet se një x-person ka blerë një veturë 200, 300 apo 500 mijë euro dhe në anën tjetër nga qarkullimi i parave që kanë bërë në Administratën Tatimore nuk rezulton që përputhën fitimet e deklaruara në raport më veturën, atëherë shkohet dhe verifikohet se nga është pasuria e atij automjeti.
Në rast kur konstatohet se nuk ka mbulushmëri, atëherë bëhet edhe vlerësimi tatimor.
Më pas këto vlerësime të mundshme që mund t’i bëjë ATK-ja, shkojnë edhe në instanca ankimore- gjykata nga ana e palës.
Nga ana tjetër, në fund të vitit të kaluar, ATK-ja kishte grumbulluar informacione për pasurinë e këngëtarëve dhe listën e ndejave, të cilat i kishin aranzhuar për periudhën verore dhe kishte ndërmarrë një aksion për gjobitjen e tyre, pasi ishte gjetur shmangie tatimore. /Demokracia.com/