Lajme
Atiq nis formimin e kabinetit të tij në Mitrovicë të Veriut
Demokracia
20:49 | 23 Maj 2023

Share:

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka nisur formimin e kabinetit të tij qeverisës që kur e mori detyrën e re.

Atiq, i cili më 19 maj u betuar si kryetar i Mitrovicës së Veriut, sot bëri katër emërime, për të cilat ka njoftuar vetë ai.

Vendimi i tij i parë si kryetar ishte emërimi i Katarina Adancic si nënkryetare e Komunës, të cilin e bëri katër ditë më parë.

“Vendimi im i parë si Kryetar ishte emërimi i zonjës Katarina Adancic, si nënkryetare e Komunës, së bashku do të punojmë dhe shërbejmë me profesionalizëm dhe përkushtim për të gjithë qytetarët pa dallim”, njoftoi Atiq në Facebook.

Ndërsa sot, ai ka emëruar edhe katër drejtorë/esha të drejtorive përkatëse.

Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport, Atiq ka përzgjedhur Anesa Çollakoviq, që tha se ka përvojë të gjerë në këtë fushë.

“Anesa ka përfunduar studimet master në zhvillimin ndërkombëtar në Ohio University në SHBA dhe ka përvojë me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare në fushën e kulturës rinisë dhe sportit”, ka njoftuar ai.

Drejtorinë e Arsimit në kabinetin e tij, Atiq ka zgjedhur ta përfaqësojë me Vid Janicijevic, i cili është studiues i historisë dhe arkeologjisë.

Atiq po ashtu emëroi sot edhe Shenaj Llapashticën, Drejtoreshë për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi.

“Shenaji ka studijuar arkitekturë në Mimar Sinan Fine Arts University në Stamboll në Turqi. Shenaj Llapashtica ka përvojë pune shumëvjeqare në drejtorinë e kadastrit dhe urbanizmit”, bën të ditur njoftimi.

Emërimin e fundit për të cilin njoftoi, Atiq e bëri në Drejtorinë për Komunitete Lokale dhe Kthim, udhëheqës i të cilës do të jetë Jeton Rrahmani.

“Jetoni eshte studiues i drejtësisë, vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Aktivizmi i tij i gjatë me bazë në komunitet ka bërë që të njoh për së afërmi çështjet social-ekonomike të komuniteteve”, shkroi Atiq.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore u mbajtën më 23 prill. Erden Atiq ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje që mori shumicën e votave.

Të ngjashme