Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, e cila kishte sinjalizuar për raste të dyshuara me korrupsion brenda misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, është rikthyer në Prishtinë disa ditë pasi arriti një marrëveshje gjyqësore me qeverinë britanike për t’u dëmshpërblyer me 423 mijë funte, duke treguar për këto raste. Por, më të përfunduar konferencën, ajo ka marrë ftesë nga Prokuroria e Prishtinës për t’u intervistuar si e dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete.
Ajo foli për rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, për të cilin tha se kishte ngritur dyshime se po tentohej të mbyllej nga ish-kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit. Për të dy thotë se pati prova se po takoheshin me ndërmjetësues.
Bamieh tha se rastin e Tolajt e trashëgoi nga një koleg gjerman të cilit i kishte përfunduar mandati. Ajo tha se kishe urdhëruar që të përgjonte edhe një telefon të Tolajt për të cilin tha se e posedonte në burg.
“Mora një urdhërese nga gjykata që ta përgjoja atë numër të telefonit, dhe nga këto përgjime u bë e dukshme se gjyqtari Franceso po takohej me ndërmjetësuesit e z.Tolaj dhe se kishte ndodhur një takim në ‘Villa Gërmia’ mes gjyqtarit Franceso dhe shefes time, kryeprokurores. Unë ju shkova këtyre përgjimeve në detaje të cilat ishin më shumë se 200 përgjime. Në ato përgjime flitej se ata po i merrnin përgjimet e rëndësishme në lidhje me vendimet, ku po mundoheshin ta zhduknin këtë rast, ata dëshironin që gjyqtari Florit, t’ju garantojë atyre dhe nëse ai do të garantonte atëherë Ilir Tolaj do të lirohej. Çfarë kanë mundur ata të bëjnë për të, ata po mundoheshin që të paguajnë në mënyrë ti ikin drejtësisë. Po mundoheshin kontaktojnë njërin prej asistenteve të sigurisë së shefit të misionit z.Dermanak, në atë kohë dhe ata kishin një aleancë të fuqishme politike në Qeverinë e Kosovës dhe ata në këto përgjime iu referoheshin një politikani të fuqishëm si ‘personi nga Kaltrina’”, tha Bamieh.
Ish-prokurorja e EULEX-it tha se përgjimet ia kishte dërguar koordinatorit që nuk dëshironte të merrej me to dhe të njëjtën gjë ia kishte sugjeruar edhe asaj.
“Unë u brengosa për këtë gjë dhe shkova që të takojë koordinatorin tonë me dy dosje të përgjimeve, ai nuk deshi që ti shoh këto përgjime apo ti dëgjoi, ku mu drejtua mua ‘po të isha si ti, do ti mbyllja sytë dhe nuk do të ktheja kokën prapa’, kurrë nuk kam thënë se gjyqtari Florit ishte fajtor dhe as kryeprokurorja ishte fajtore. Çështja ime ishte se kishte dyshime të bazuara mirë se diçka nuk ishte në rregull dhe se duhej të bëheshin hetime”, vijoi Bamieh.
Megjithatë, ajo e kishte dërguar raportin e plotë edhe shefit dhe zëvendësshefit të misionit, duke menduar se kjo çështje do të avancohej, por në fakt, sipas saj, kishte ndodhur e kundërta dhe ajo u pezullua nga puna se e bënin fajtore për rrjedhje të informacioneve.
“Unë vazhdova punën time duke menduar se po zhvilloheshin hetimet por në fakt nuk kishte asnjë hetim. Raporti im ishte varrosur, unë pastaj fillova që të ballafaqohem me kundërshtarë sepse shefja ime u largua nga misioni dhe zotëri Jonathan e mori detyrën sipër”, shtoi ajo.
Megjithatë, përkundër marrëveshjes me Zyrën për Punë të Jashtme ku ajo mori një dëmshpërblim, Bamieh tha se ata që keqpërdorën pozitën në EULEX janë akoma të lirë dhe asnjëherë nuk u kryen hetime siç duhet për pretendimet e saj.
“Arsyeja pse unë jam kthyer në Kosovë, sa kam pasur një lloj fitoreje nga Mbretëria e Bashkuar, pasi që Zyra për Punë të Jashtme ka bërë një marrëveshje për rastin tim. Por kriminelët e vërtetë janë akoma në ikje, dhe ata të cilët kishin keqpërdorur pozitën e tyre ne EULEX dhe ata të cilët kishin keqpërdorur pozitën e tyre ne Bruksel, nuk janë vënë para përgjegjësisë. Ndoshta së shpejti do t’i ftoj Malcolm Simmons dhe Matt’s Matson para parlamentit të mbretërisë se bashkuar që te japin dëshminë e tyre, nëse Parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar do të pajtohen që do ta na dëgjojnë. Gjatë këtyre 10 viteve të fundit më është dashur që të luftojë sepse nuk kam munduar që ta harroj këtë çështje dhe ende nuk mundem. Pres që njerëzit te veprojnë sipas obligimeve tyre ndërkombëtare”, tha ajo
Për fund, ish-prokurorja bëri të ditur se pavarësisht zhvillimeve në Kosovë nuk po sheh progres në drejtësi. Ajo ka shtuar se për të funksionuar sistemi i drejtësisë nuk duhet të këtë ndërhyrje politike.
“Kam parë mjaftë përparime në Kosovë, por nuk shoh përparime në drejtësi, akoma vazhdoj të dëgjoj storie të shumta në lidhje me rastet e njerëzve të cilat nuk po trajtohen siç duhet në drejtësi. E shoh si të drejtë se pjesa ekzekutive e EULEX-it nuk ekziston më, drejtësia duhet të vijë nga zemra e popullit dhe populli duhet të luftojë për drejtësi, nuk mund t’i kemi ndërkombëtarët me histori të ndryshme kulturore. Unë besoj dhe i mbështes të gjitha zhvillimet që mbështeten nga shtetet anëtare dhe nuk e di se çfarë bën EULEX-i në lidhje me monitorimin, por për sistemin e drejtësisë që të funksionojë si duhet nuk mund te keni ndërhyrje politike, pavarësisht kush është… Dua të shtoj se ka pasur edhe staf vendor të tjerë të cilët kanë parashtruar ankesa ligjore por nuk kanë arritur ndonjë drejtësi”, ka thënë Bamieh.
Menjëherë pas përfundimit të konferencës, prokuroria Bamieh ka pranuar ftesë nga Prokuroria e Prishtinës si e dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. Këtë gjë ajo e konfirmoi përmes rrjeteve sociale.
“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadiku nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, shkroi ajo.