Atleti i njohur kosovar, Astrit Kryeziu, ka udhëtuar drejt Stambollit të Turqisë, për të marrë pjesë në kampin përgatitor në të cilin pjesëmarrës janë edhe Kombëtarja e Turqisë, transmeton Demokracia.com.
Kryeziu i është bashkuar atletit tjetër, Musa Hajdari, i cili ndodhet në përgatitje prej 4 shkurtit.
“Komiteti Olimpik i Kosovës po i mbulon shpenzimet e përgatitjeve të të dy atletëve, të cilët njëkohësisht janë edhe bursist të KOK-ut për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.
Astriti kishte rezultuar pozitiv me Covid 19 dhe për këtë arsye ka udhëtuar me vonesë”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.
Të dy atletët po përgatiten para Kampionatit Ballkanik që mbahet prej 20 shkurtit në Stamboll, por edhe para garave tjera ndërkombëtare që i presin në javët dhe muajt në vijim. /Demokracia.com