Lajme
“Asociacioni obligim”| Ambasadori Rohde: S’ka Republikë serbe në tokën e Kosovës
Demokracia
11:08 | 04 Mars 2023

Share:

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur për shumë çështje, enë veçanti për planin franko-gjerman, që tani njihet si plani evropian. Rohde ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve në dialog, duke thënë se ishte një hap i rëndësishëm që u takuan palët. Përkundër toneve pozitive, Rohde tha se kanë mbetur ende çështje të hapura, duke e vendosur theksin te Asociacioni.

“Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, tha ai.

I pyetur nëse do të ketë pasoja nëse plani evropian, të cilin kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm ta nënshkruante, nuk zbatohet, Rohde është përgjigjur se “natyrisht se do të ketë pasoja”.

“Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan. Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën”, theksoi ai për Radio Kosovë.

E sigurisht, ambasadori i Gjermanisë foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e cilësoi si obligim të Kosovës. Megjithatë, Rohde tha se shtetet e Quintit, pra SHBA-ja, Britania, Franca, Gjermani e Italia, nuk dëshirojnë një Republikë serbe.

“Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e QUNT-it, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi”, tha ai.

Ambasadori foli edhe për opozitën parlamentare në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se pret që ajo të jetë konstruktive.

“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi. Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, tha Rohde.

Ndryshe të hënën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq janë takuar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ku kanë diskutuar për planin e BE-së.

Të ngjashme