Lajme
“Asnjë njohje në dy vjet”| Vizitat jashtë vendit të krerëve shtetërorë konsiderohen të padobishme për Kosovën
Demokracia
11:22 | 08 Tetor 2022

Share:

Vizitat e shpeshta të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani jashtë vendit nuk po shihen si të frytshme për Kosovën nga njohësit e çështjeve politike.

Sipas tyre këto vizita nuk janë duke dhënë ndonjë rezultat konkret të sjelljen e njohjeve nga vendet anëtare të BE-së, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Analisti Arbnor Sadiku tha se vizitat e udhëheqësve shtetëror janë pa rezultate konkrete në kuptimin e njohjeve të reja për Kosovën dhe bashkëpunimit me vendet e huaja, duke i quajtur këto takime si vizita kurtoazie.

Ai u shpreh se është koha që krerët institucional duhet të fuqizojnë bashkëpunimin.

“Faktikisht kanë qenë më tepër disa vizita kurtoazie në vendet e ndryshme të botës dhe Evropës, por siç e dini edhe ju nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret në kuptimin e njohjeve të reja për Kosovën apo thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe vendeve të rajonit apo edhe atyre të BE-së. Siç e dini edhe ju më tepër kanë qenë disa vizita kurtoazie, pjesëmarrja më disa varrime të burrështetasve të ndryshëm siç ishte ai në Japoni dhe përkundër faktit që Kosova gjendet në një situatë jashtëzakonisht të keqe sociale, prandaj është koha e fundit që bashkërendimi i krerëve institucional të jetë më i madh dhe të fuqizojnë lobimin sikur që kanë qenë pas pavarësisë së Kosovës veçanërisht në ShBA dhe vendet kryesore të BE-së, siç është Gjermania dhe Franca”, tha ai.

Sadiku ndër të tjera tha se mos liberalizimi i vizave për Kosovën do të duhej të ishte mjaftë shqetësues për krerët shtetëror duke marrë parasysh që Kosova është vendi më i izoluar në Ballkan.

Ai shtoi se institucionet duhet të bashkërendojnë aktivitetet që të sigurojnë njohjet e 5 vendeve të BE-së.

“Përveç mos pasjes së njohjeve Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave është vendi më i izoluar në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo do të duhej të ishte shqetësuese për krerët e institucioneve sepse kjo është mjaftë problematike për qytetarët shkurja nëpër ambasada, pritja me orë të tëra për të kompletuar dokumentacionin, për të marr viza është vërtet shqetësuese dhe është koha e fundit që gjithë krerët e institucioneve të bashkërendojnë me fuqitë e tyre politike dhe vendimmarrëse që ta reprezentojnë Kosovën më mirë në forume ndërkombëtare dhe sigurojnë disa  njohje të paktën nga 5 vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Sadiku tha ai për Ekonomia Online.

Edhe analisti, Fidan Ukaj, tha se vizita e fundit të kryeministrit Albin Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte vizitë rekreative sepse sipas tij, Kosova nuk ka fituar as një gjë nga kjo vizitë.

“Në të kaluarën e kemi pasur kritika nga opozita se liderët institucional nuk po ftohen nga liderët botëror dhe nuk kanë viyita nëpër vende të ndryshme si në BE e ShBA, dhe e dëgjuam deklaratën e famshme të kryeministrit Kurti i cili tha që do të shkoj në një vizitë afatgjate në ShBA. Ndodhi vizita e tij, Kurti ishte në ShBA mirëpo në përfundim të kësaj vizite u pa se kjo ishte një vizitë e ashtu është quajtur vizitë rekreative, sepse ne nuk morëm asgjë nga ajo vizitë, mirëpo edhe në pasqyrim të vizitës që ne e kemi parë të Kurtit, më shumë ishin takime me disa kompani që tashmë nuk i kemi prezentë ose edhe me bashkatdhetarë, e as se si takime të rëndësishme qoftë në shtëpinë e bardh ose me zyrtarë të lartë të shteti”, tha Ukaj.

Ukaj po ashtu tha se edhe vizitat e presidentes Vjosa Osmani kanë qenë me rezultate minimale.

Madje sipas tij, këto vizita kanë qenë ma shumë për konsum për të treguar që krerët institucional po takohen me liderë të huaj.

Ai po ashtu tha se edhe kryeministri edhe presidentja në vend të bashkëpunimit për tema sociale me opozitën ata e kanë kthyer atë në një luftë të brendshme duke i bërë dëm të madh Kosovës.

“Po ashtu edhe presidentja ka pasur disa vizita në vendet e ndryshme të botës, mirëpo siç duket prapë se prapë rezultatet janë minimale, të mos themi zero sepse kjo duhet të përkthehet në rezultate, qoftë në thithjen e investimeve apo edhe në anëtarësim në organizatat të ndryshme që janë shumë të rëndësishme për Kosovën, ose edhe me njihje të reja dhe ne nuk kemi njohje të reja, nuk kemi anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo i bie që vizitat kanë qenë ma shumë për konsum për me tregu që krerët institucional  kanë vizita jashtë vendit mirëpo rezultatet siç duken janë minimale për të mos thënë zero”.

“Ne kemi parë edhe kryeministrin ose edhe presidenten, në vend që të ofrojnë opozitën, të bashkëpunojnë sidomos për tema nacionale këta liderë politik e kanë kthyer në një luftë të brendshme çka dëmi më i madh është duke iu bërë Kosovës”, tha ai.

Që prej ardhjes së Kurtit e Osmanit në pushtet, Kosova nuk ka pasur asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Të ngjashme