Lajme
ASK publikon nivelin e pagave për vitin 2021, më të lartat në ndërmarrjet publike e më të ulëtat në sektorin privat
Demokracia
21:25 | 28 Maj 2022

Share:

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2021.

Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto, sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në sektorin publik (administrata), në ndërmarrjet publike dhe në sektorin privat në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Në vitin 2021, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 484 euro, derisa në vitin 2020 ishin 466 euro. Pra, kishte një rritje prej 18 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2021 ishte 432 euro, krahasuar me vitin 2020 që ishte 416 euro, një rritje prej 16 eurosh në vitin 2021.

Paga mesatare bruto në vitin 2021, sipas aktiviteteve ekonomike, më e larta ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (949 euro); Informim dhe komunikim (757 euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (281 euro), shkruan Demokracia.com.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2021 ishte 612 euro, duke u rritur për 205 euro. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 euro sa ishte në vitin 2012, u rrit në 542 euro në vitin 2021, një rritje prej 176 eurosh.

Te sektori publik (pagat që paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës) vërehet një rënie të pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitin paraprak, e cila ka ardhur për arsye se në vitin paraprak (2020) ka pasur përfitime të shtesave në sektorët specifikë. Tek të dhënat e sektorit privat nuk janë të përfshira shtesat në pagën mujore, sepse ato përfshihen në deklaratën vjetore si qarkullim.

Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 euro, derisa në vitin 2021 ishte 768 euro. Ndërkaq, paga mesatare neto nga 502 euro sa ishte në vitin 2020, u rrit në 680 euro në vitin 2021.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2021 ishte 419 euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 euro. Pra, kishte një rritje prej 39 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2021 ishte 376 euro, krahasuar me vitin 2020 e cila ishte 342 euro. Pra, një rritje prej 34 eurosh. /Demokracia.com/

Të ngjashme