Ish-asistentja e Sean Combs Diddy dëshmoi kundër tij dje, duke pretenduar në gjykatë se ai e kishte kërcënuar vazhdimisht me vdekje dhe se e kishte rrëmbyer në një rast.
Capricorn Clark, e cila punoi me ndërprerje për Combs midis viteve 2004 dhe 2018, dëshmoi kundër ish-shefit të saj dhe kërkesave të tij abuzive që e çuan atë në zhvillimin e alopecisë (rënies së flokëve) të shkaktuar nga stresi.
Ish-asistentja i tha gjykatës se, ndërsa ajo ishte e punësuar në kompaninë e tij, ai e kërcënoi me vdekje rreth 50 herë.
Ajo tha se kërcënimi i parë me vdekje erdhi ditën e saj të parë të punës, sepse P Diddy zbuloi se ajo kishte punuar më parë në shtëpinë diskografike të rivalit të tij, Suge Knight, ‘Death Row Records’.
Clark u tha prokurorëve se si P Diddy dhe roja e tij e sigurisë e çuan atë në Central Park natën, ku e kërcënuan me vdekje.
Kur prokurorët e pyetën se çfarë i tha P Diddy në park, ajo u përgjigj: “Se për shkak se punoja për Suge Knight, mund të më vrisnin nëse do të ndodhte diçka”.
Më pas ajo tregoi se si P Diddy erdhi në derën e saj i armatosur dhe dyshohet se e rrëmbeu pasi mësoi për lidhjen e Kid Cudi dhe Cassandra Cassie Ventura në dhjetor 2011.
Clark zbuloi gjithashtu detaje të reja tronditëse rreth sulmit të dhunshëm të Diddy-t ndaj Venturës, pasi mësoi për marrëdhënien e saj me Cudi-n.
Pretendimet e pazakonta dolën gjatë dëshmisë së Clark, e cila shpërtheu në lot vazhdimisht ndërsa përshkruante makthin e saj nga reperi. Në fillim të dëshmisë së saj të martën, ajo foli për punën e palodhur dhe pagën e ulët që mori ndërsa punonte për të.
Si kujtesë, P Diddy është në gjyq për shantazh, trafikim qeniesh njerëzore dhe transportim për prostitucion. Ai përballet gjithashtu me padi të shumta civile që e akuzojnë për sulm seksual.
Ashtu si më parë, reperi i mohon të gjitha akuzat. Gjyqi federal pritet të zgjasë tetë javë. /Telegrafi/