Lajme
Ashtu siç pritej, Vjosa Osmani ia aprovon Kurtit marrëveshjen me Serbinë
Demokracia
19:36 | 21 Qershor 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për udhërrëfyesin e energjisë, marrëveshje kjo që i hap rrugë inkasimit të rrymës në veri të vendit.

Sipas Osmanit, kjo marrëveshje ka rëndësi vendimtare.

“Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie vendimtare. Si gjithmonë, Kosova ka treguar se di të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces. Tani zbatimi është hapi kyç përpara!”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit, shkruan Reporteri.net.

Lajmin e ka bërë të ditur emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. Laçak e ka quajtur këtë një hap të madh përpara në procesin e dialogut.

“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajcak.

Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.

Kujtojmë se Lajçak gjatë javës së kaluar tha se është në organizim e sipër të një takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, takimi pritet të realizohet para pushimeve të verës.

Të ngjashme