OpEd
Ashtu si Ukraina edhe Ballkani Perëndimor, duhet të integrohet në mënyrë të përshpejtuar në BE
Demokracia
18:14 | 24 Mars 2022

Share:

Nga Nikolla Dimitrov “The Balkans in Europe Policy Advisory Group”

Sulmi brutal i presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, e ndryshoi Evropën brenda natës. E pamendueshmja u bë e mundur, ndërsa tabutë e vjetra që qëndronin në fuqi prej dekadash u thyen brenda pak ditësh. Nga vendosja e sanksioneve më të rënda që BE-ja ka vendosur deri më sot ndaj një vendi agresor, tek mbështetja e shteteve anëtare në sigurimin e pajisjeve ushtarake për shtetin që ka rënë viktimë e sulmit, gjë që është gjithashtu e paprecedentë.

Vetëm në Gjermani, ndryshimet e politikave kanë qenë tektonike:ky vend po dërgon vazhdimisht armë në Ukrainë, ka pezulluar gazsjellësin “Nord Stream 2”, shpenzimet në fushën e mbrojtjes i tejkalojnë tashmë 2 për qind të PBB-së siç e kërkon edhe vetë NATO, ndërsa është miratuar një fond prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e Bundeswehr, ushtrisë gjermane.

Nëpërmjet një lufte gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës, ndaj një  vendi evropian dhe sovran, pa kurrfarë provokimi, Putin sulmoi rendin evropian të sigurisë. Ai e bashkoi kontinentin, dhe e bëri NATO-n më të rëndësishme se kurrë më parë. Evropa në përgjithësi është zgjuar, duke e ndihmuar Ukrainën dhe duke marrë me shpejtësi masat për të qenë në gjendje të mbrohet.

Por kjo luftë ka të bëjë direkt me fatin e Evropës, jo vetëm në aspektin gjeografik. Pavarësisht gjithë debateve mbi zgjerimin e NATO-s, ishte fuqia e butë e Evropës, ajo që e frymëzoi Ukrainën dhe nga ana tjetër e shqetësoi Putinin deri në pushtimin e Krimesë dhe Donbasit 8 vite më parë.

Revolucionit i Euromaidanit, ishte një triumf i tërheqjes ndaj vlerave evropiane. Protestat u shkaktuan nga vendimi i qeverisë kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në dhe sollën në fund rrëzimin e presidentit Janukoviç, që preferonte lidhje më të ngushta me Rusinë. Ai revolucion ishte një thirrje kolektive për atë që përfaqëson Evropa, për narrativën evropiane.

Prandaj një turmë e etur për liri, demokraci, qeverisje të mirë, shtet ligjor dhe prosperitet, duroi të ftohtin, kërcënimet dhe snajperët. Populli i Ukrainës e ka marrë shumë seriozisht narrativën evropiane. Dhe nëse bëhet realitet një Ukrainë e begatë demokratike evropiane, kjo mund të jetë gjithashtu një frymëzim për fqinjin e saj më të madh, dhe një rrezik për regjimin shtypës të Putinit.

Sot Ukraina po lufton për shumë më tepër sesa thjesht mbijetesën e saj. Lejimi që Putin të vendosë në Kiev një qeveri kukull, do të siguronte një mbijetesë poshtëruese të këtij kombit. Por ky nuk është një opsion, pasi ukrainasit luftojnë heroikisht për lirinë dhe demokracinë e tyre, por dhe për të drejtën për të zgjedhur vetë fatin e tyre.

Ata duan të jenë një vend anëtar i barabartë i familjes evropiane. Kur presidenti Zelenski thotë se ukrainasit po luftojnë dhe vdesin për Evropën, ai ka parasysh pikërisht këtë gjë. Duke reaguar pas kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në BE të paraqitur më 28 shkurt, Këshilli Evropian e ftoi Komisionin Evropian të jepte opinionin e tij, dhe nënvizoi se Ukraina i përket familjes evropiane.

Deri këtu mirë. Sinjali për dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën duhet të jepet sa më parë . Por ukrainasit priten të zhgënjehen akoma më shumë me Evropën, në rast se BE-ja nuk mëson shpejt mësimet e saj nga dështimi i procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, një rajon të cilit ajo i premtoi një të ardhme evropiane që në vitin 2003.

Ndërkohë që e mirëkuptonte kërkesën e Zelensky për një anëtarësim të përshpejtuar, ritmi i integrimit do të varet në mënyrë të pashmangshme nga ritmi i transformimit të shoqërisë ukrainase, pasi përfundimit të luftës. Pikëpyetja më e madhe këtu nuk është dhe aq shpejtësia e procesit, por nëse në fund do të ketë një anëtarësim të mundshëm në BE.

Sot, procesi i supozuar i bazuar në merita, vështirë se i shpërblen reformatorët. Ndërkohë mungon veprimi kundër prapambetjes ekonomike dhe asaj demokratike, dhe kjo për shkak të konsideratave politike. Në realitet, nuk ka një konsensus midis shteteve anëtare për qëllimin përfundimtar, që është anëtarësimi.

Ky proces mbahet shpesh peng nga vetot individuale të shteteve të caktuara, të cilat nuk kanë lidhje me kriteret. Me pak fjalë, zgjerimi është kthyer në një lojë politike të ruajtjes së pretendimeve, por pa asnjë besueshmëri.

Marrim si shembull Maqedoninë e Veriut, shtetin kandidat më të vjetër në rajon (që nga viti 2005). Procesi nisi që në vitin 2001, ndërsa BE tha se bisedimet do të nisin zyrtarisht në vitin 2019. E gjithë kjo kohë e humbur u shkaktua fillimisht nga mosmarrëveshja me Greqinë për emrin e vendit. Ky problem në dukje i pazgjidhshëm, u zgjidh përfundimisht në vitin 2018, me Marrëveshjen e Prespës, e vlerësuar gjerësisht si një model për rajonin dhe më gjerë, dhe si një fitore e rrallë për diplomacinë. Në atë kohë udhëheqësit e BE-së u gëzuan, dhe premtuan se do të fillonin bisedimet e anëtarësimit.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Vendimi u mor më në fund në vitin 2020. Por  qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk e kanë nisur ende rrugëtimin e tyre të gjatë. Ata janë tashmë të bllokuar nga Bullgaria fqinje, e cila pretendon se maqedonasit etnikë janë rezultat i “inxhinierisë etnike dhe gjuhësore” që ka ndodhur nën ish-Jugosllavinë e Titos.

Prandaj në këtë moment vendimtar për kontinentin, BE-ja duhet të ri-mendohet, të veprojë në mënyrë strategjike dhe ta marrë seriozisht zgjerimin. Nëse dëshiron të vendosë drejtësi për ukrainasit që luftojnë dhe vdesin për të qenë në gjendje të bëhen anëtarë të barabartë të familjes evropiane, nëse dëshiron të ankorojë fort vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane, dhe të mbyllë “xhepat e destabilitetit” që mund të ushqehen nga Kremlini, nëse dëshiron të shmangë kundër-narrativat dhe zhgënjimin e mëtejshëm, dhe nëse dëshiron t’i tregojë Gjeorgjisë dhe Moldavisë se zgjerimi mund të jetë vërtet i suksesshëm – atëherë Brukseli duhet të krijojë urgjentisht një proces integrimi të besueshëm, realist dhe të bazuar në performancë, dhe me stimujt përkatës kohë pas kohe.

Të ngjashme