Lajme
Asfalt për një përdorim: Investimet abuzuese me paratë publike nga Komuna Prishtinës
Demokracia
22:02 | 17 Prill 2025

Share:

Keq planifikimi kronik i Komunës së Prishtinës po shndërrohet në një sport të kushtueshëm publik. Rruga “Agim Ramadani”, që ndodhet pothuaj nën dritaret e kryetarit Përparim Rama, është shembulli më i freskët i qasjes ‘shto-hiq’ në menaxhimin e buxhetit, shkruan Demokracia.com.

Komuna e drejtuar nga Përparim Rama ka njoftuar sot se një pjesë e rrugës ‘Agim Ramadani’ do të mbyllet për qarkullim nga e shtuna, 19 prilli, deri në të hënën, 27 prilli, për shkak të punimeve rehabilituese pas dëmtimeve nga automjetet e rënda. Gjatë kësaj kohe, priten vështirësi në qarkullim dhe është rekomanduar përdorimi i rrugëve alternative.

Se kah do të behët investimi, Komuna ka publikuar një ortofoto.

Segmenti i dëmtuar i rrugës ka qenë në gjendje të keqe për disa vite, por riparimi është planifikuar tash.

Investimi pritet të kushtojë disa mijëra euro.

Demokracia.com ka zbuluar se ky segment i rrugës është pjesë e projektit të nënkalimit ‘Agim Ramadani’, i cili është tenderuar disa javë më parë, por nuk ka filluar ende për shkak të pengesave ligjore dhe mungesës së lejes nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

Në qershorin e kaluar, IKMM ka deklaruar se projekti mund të dëmtojë asetet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Prishtinës. Komuna ka nënshkruar kontratën për këtë projekt me kompanitë ‘World Medium’, ‘Limitproject’ Sh.P.K. dhe ‘Rahovica Commerce’ Sh.P.K., me një ofertë totale prej 5,825,650.83 euro. Megjithatë, punimet nuk kanë filluar ende për shkak të pengesave ligjore.

Komuna tashmë ka shpërndarë një shumë prej 661,548.31 eurosh, ose 11.36% të vlerës së kontratës, ndaj kompanive investuese, megjithëse punimet nuk kanë nisur. Kjo shumë është raportuar në raportin financiar për muajin mars nga Komuna e Prishtinës.

Projekti ende nuk ka filluar, por Komuna i lëshon kompanisë mbi 600 mijë euro për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”

Ky nuk është rasti i vetëm. Në lagjen Arbëria, Komuna ka nisur një tjetër projekt pa zgjidhur konfliktin me Ministrinë e Kulturës dhe pa dokumentacion të rregullt. Rruga u bllokua për disa muaj. Punimet u ndalën. Pastaj u hap sërish, me zgjerim në asfalt, sa për të arsyetuar disa mijëra euro të shpenzuara kot.

Nëse edhe aty rifillojnë punimet, del se investimi paraprak ka qenë veç një keqpërdorim tjetër i buxhetit.

Kjo situatë tregon një keqmenaxhim të buxhetit dhe investimeve të Komunës në pjesë të ndryshme të qytetit, duke përfshirë raste të kontestuara me Ministrinë e Kulturës. /Demokracia.com/

Të ngjashme