Lajme
Asamblisti i PDK-së ia numëron dështimet: Përparim Rama e ka hallin te 70 hektarët në Çagllavicë
Demokracia
16:00 | 06 Maj 2025

Share:

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me këshilltarët komunal të LDK-së, kanë braktisur mbledhjen e katërt të Kuvendit të Kryeqytetit, e cila nisi në orën 10:20.

Lidhur me këtë ka reaguar këshilltari komunal i PDK-së, Leutrim Retkoceri, ai tha se kjo mbledhje u lëshua pasi nuk u vendos në rëndë dite ‘Plani për betonizimin e 70 hektarëve tjerë në Çagllavicë’.

“Perparim Rama e braktisi sot sallën e Kuvendit Komunal, bashkë me asamblistët e pushtetit, vetëm pse Plani për betonizimin e 70 hektarëve tjerë në Çagllavicë– pika e tij e preferuar e cila ishte e 14-ta – nuk u vendos si pika e parë në rend dite, ashtu siç kërkoi. Me këtë lëvizje, ai bllokoi diskutimin dhe miratimin e shumë pikave të rëndësishme për Kryeqyteti Prishtina”, shkroi ai.

Retkoceri i ka numëruar edhe dështimet e kryetarit Rama, si çështja e pastrimit, qentë endacak dhe faturat e “Termokos”.

“Për të nuk ka rëndësi a mbetet qyteti pa pastrim, qytetarët pa shërbime, punëtori i “Pastrimit” pa pagë, apo a vazhdon tallja me përgjegjësinë që e ka. Ai e pamundësoi edhe shqyrtimin e Raportit Financiar të Komunës, ku më shumë se 10 milionë euro janë marrë nga përmbarimi – pasojë direkte e keqqeverisjes së tij.

Qenët endacakë të cilet janë brengë në shume lagje për shumë banorë e prind është qesharake për të – sepse me këtë realitet nuk përballet, siç përballen qytetarët. As raporti i detajuar i “Termokos”-it nuk e shqetëson, ndonëse ai tregon qartë si janë fryrë faturat e ngrohjes për mijëra qytetarë”, tha ai.

Sipas tij Rama është duke e përdorur kryeqytetin.

“Kryetari ka halle tjera. Ai e ka mendjen te 70 hektarë në Çagllavicë, ta ngjisë sa më lart në rend dite – sepse aty janë interesat e tij. Aty janë premtimet që u ka dhënë biznesmenëve për koeficientë ndërtimi. Ka borxhe për të larë – jo ndaj qytetarëve, por ndaj atyre që i financuan “rrugëtimin ndërtimor”.

Kryeqytetin nuk e ka seriozisht. Kryeqytetin e përdor.

Atë që e ka seriozisht, janë tokat, koeficientat dhe kontratat milionëshe!”, përfundoi ai.

Rama braktis seancën me pushtetin, dështon mbajtja e seancës së Kuvendit të Prishtinës

 

Të ngjashme