Lajme
Asamblist babai, drejtoreshë e bija| Qemajl Aliu akuzohet për pazare politike dhe konflikt interesi
Demokracia
19:02 | 11 Qershor 2022

Share:

Emërimi i Albanë Ademajt si Drejtoreshë e Inovacionit dhe Zhvillimit të Projekteve në Komunën e Shtimes nga kryetari Qemajl Aliu po shihet si konflikt interesi nga shoqëria civile dhe anëtarë të Kuvendit Komunal, pasi që ajo është e bija e asamblistit Muhamet Ademaj nga AKR-ja, që janë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. 

Emërimi i Ademajt në Drejtorinë e Inovacionit është cilësuar si konflikt i interesit nga shoqëria civile dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Shtimes.

Kenan Gashi nga AVONET tha për Demokracia.com se emërimi i Albanë Ademajt, vajzës së Muhamet Ademajt, drejtoreshë në Drejtorinë për Inovacion dhe Zhvillim të Projekteve paraqet konflikt interesi.

Kryetari i Shtimes, Qemail Aliu, kishte premtuar se s’do të ketë pazare politike dhe sipas Gashit kjo është shqetësuese, pasi ai veçse ka filluar të vë në praktikë pazaret politike.

“Ne jemi duke e bërë një analizë të kësaj dhe praktikat tregojnë që nëse prindi i dikujt është në një organ vendimmarrës e ka vajzë, siç është drejtoresha e komunës së Shtimes, është në një lloj forme konflikt interesi. Por, nuk është dashur së paku që të familjarizohet pushteti ashtu. Kjo tregon që ka nepotizëm në komunën e qeverisur nga Aliu. Për neve kjo është tejet shqetësuese. Qemajl Aliu ka premtuar se në qeverisjen e tij nuk do të ndodhin pazare politike. Ai këtë është duke e materializuar në praktikë, siç është rasti konkret. Natyrisht, është njëra prej elementeve kryesore që paraqet formën e shantazhit dhe paraqet një presion direkt që parapolitika dhe parapazari i fushatës ka zyrtarizuar në lidhjen e tillë. Nuk mund të jetë në praktikat reale, babai asamblist e vajza drejtoreshë e për ta me diskutu dhe me i trajtu ngjarjet e tilla. Ku mundet babai me diskutu për një të metë të vajzës në publik ose me iniciu një rast që ka të bëjë me një keqpërdorim. Praktikë e thjeshtë”, tha Gashi për Demokracia.com.

Anëtari i Kuvendit Komunal të Shtimes nga Lëvizja për Bashkim, Rexhep Gashi, këtë çështje e ka ngritur edhe në mbledhje e dytë të Kuvendit Komunal, mirëpo nuk ka arritur që të votohet.

Gashi për Demokracia.com ka thënë se themelimi i Drejtorisë së Inovacionit dhe Zhvillimit të Projekteve është konsideruar i paligjshëm nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

“Çështjen e drejtoreshës e kam ngritur si shqetësim që në fillim dhe në mbledhjen e dytë të Kuvendit pikërisht për këtë kemi diskutuar ne si opozitë. Për këtë çështjen e drejtorisë, unë kam kërkuar që ajo të hyjë si pikë në rend dite. Edhe kryesuesi e ka qit në votim, mirëpo nuk ka pasur vota të mjaftueshme, sepse ka munguar një asamblist i opozitës dhe nuk ka mundur që të kalojë kjo pikë. Mirëpo e kemi ngritur prapë si shqetësim rreth drejtorive, të cilat janë të themeluar si drejtori të paligjshme, kam konsideruar. Unë më herët në Kuvend e kam ngritur këtë shqetësim. MAPL-ja këto dy drejtori i ka konsideruar të paligjshme kur janë themeluar në ekzekutivin e kaluar të Naim Ismailit. Edhe atëherë unë e kam ngritë si shqetësim, edhe atëherë nuk kam qenë që këto drejtori të themelohen”, tha Gashi për Demokracia.com.

Anëtari i Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e AKR-së, Muhamet Ademaj, për Demokracia.com tha se vajza e tij është emëruar në Drejtorinë e Inovacionit nga kryesia e AKR-së.

Ai ka thënë se AKR funksionon brenda Grupit të LDK-së, e cila është në koalicion me LDK-në, por vajza e tij është aktiviste e AKR-së që 10 vite.

“Ne jemi si grup parlamentar, jemi me LDK-në bashkë, jemi tre këshilltarë të asamblesë dhe LDK ka bërë marrëveshje me Vetëvendosjen. Vajza ime është aktiviste që 10 vite në Aleancën Kosova e Re dhe vetë partia ka marrë vendim që të dërgojë vetë vajzën në këtë drejtori. Emërimi i saj në këtë drejtori përmes drejtorisë së AKR-së ka ardh. Ka ardhur kërkesa në kryesinë e AKR-së dhe AKR e ka dërguar vajzën time në këtë drejtori. Ne i kemi tri drejtori: Drejtorinë për Rini, Kulturë dhe Sport, Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe Drejtorinë për Inovacion. Jo, ne nuk kemi marrëveshje me Qemail Aliun. Koalicionin e ka bërë LDK-ja me LVV-në”, tha Ademaj për Demokracia.com.

Ndërsa, ish-kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës së Shtimes dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, Mehdi Salihu, ka hedhur akuza ndaj Qemajl Aliut, duke përmendur edhe emërimin e Albanë Ademajt në Drejtorinë e Inovacionit, të cilin e ka cilësuar si konflikt të interesit.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë Salihun, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm gjatë kohës kur redaksia ka provuar të marrë qëndrimin e tij.

“Është bërë koalicion joparimor me AKR (Muhamet Ademi) i cili në të kaluarën dhe tani si njeriu më i besuar në vota për sulltanin, atëherë kishte kusht vetëm për normë të plotë të orëve në arsim, tani pazari edhe më i lartë me LVV, vajzën drejtoreshë në një drejtori për Inovacion, që është konflikt interesi   (babai deputet, vajza drejtoreshë) dhe që MAPL ka urdhëruar të hiqet si drejtori sepse është në kundërshtim.”, ka shkruar ai.

Sipas Fatmir Rashitit nga Lëvizja Vetëvendosje, Muhamet Ademaj, ka kërkuar që vajza e tij të emërohet drejtoreshë në Drejtorinë e Inovacionit.

“Marrëveshja doli të jetë: Muhameti të bëhet pjesë e grupit të këshilltarëve të LDK-së dhe t’i jepet një resor qeverisës, dhe, për çudi, kërkoi që vajza e tij të emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Inovacionit, gjë që u pranua, po me kusht që kjo nismë të dalë kinse si kërkesë LDK-së. LDK-ja kishte marrveshje për tri drejtori. Pse e liroi një drejtori, apo pse e fali, mbetet enigmë që do të kuptohet më vonë. Drejtoria e Teknologjisë dhe e Inovacionit u themelua në vitin 2018 , por menjëherë auditorët dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e shpalli të pa ligjshme”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Për këtë rast është në dijeni edhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Por edhe pse janë vënë ne dijeni të këtij rasti, AKK nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

Të ngjashme