Më 16 mars do të mblidhet sërish Asambleja e Partisë Socialiste.
Kështu tha kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që po vijon me dyer të mbyllura, teksa mësohet të ketë bërë me dije se mbledhja e radhës do të zhvillohet në Durrës.
Asambleja e Partisë Socialiste vijon të zhvillohet me dyer të mbyllura, teksa kanë nisur edhe raportimet sa i takon qarqeve të ndryshme.
Kjo Asamble, ashtu siç e ka theksuar edhe kryeministri Edi Rama përpara fillimit të saj, do të përqendrohet pikërisht në riorganizimin për zgjedhjet e vitit 2025.
Teksa, siç ka mësuar Albanian Post nga detajet e para, Erion Veliaj ka raportuar për qarkun e Tiranës, ku kritika të shumta kanë ardhur për degën e PS-së në Kavajë.
Kjo, për shkak edhe të humbjes së socialistëve në zgjedhjet vendore, ku Kavaja ishte një ndër pak bashkitë e humbura nga të majtët.
Megjithatë, përpara mbledhjes, ai ka mohuar se do të ketë përjashtime apo ndëshkime nga PS-ja në Asamble, pasi nuk është ky thelbi i partisë.
Çfarë u deklarua më parë?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se do të ketë një riorganizimin dhe një hapje të madhe të Partisë Socialiste, të cilën ai e drejton, me qëllim një fitore të radhës në zgjedhjet e përgjithshme 2025.
Këtë koment Rama e kreu përpara fillimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare socialiste, e cila ishte lajmëruar se tematikë kryesore, do të kishte pikërisht atë të një riorganizimi.
Sipas Ramës, i shkon për shtat një partie si ajo në pushtet, që të ketë një hapje sa më të gjerë dhe sa më gjithëpërfshirëse, për të gjithë personat, të cilët ndjejnë nevojën dhe dëshirën të kontribuojnë.
Nga ana tjetër, edhe pse i pyetur disa herë nga gazetarët lidhur me komentet e bëra nga ish-zëvendëskryeministri për të publikisht, kreu i PS-së i ka anashkaluar ato dhe ka zgjedhur të mos i komentojë.
Asambleja pritet të zhvillohet në mënyrë hermetike, me dyer të mbyllura, ku as fjalimi i vetë Ramës, nuk do të jetë një fjalim publik, si rrallë herë më parë.
Teksa, nga vetë kryeministri, u njoftua se aty do të bëhet një analizë e thellë e punës në terren.