Lajme
As Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë s’e di pse nuk jemi liberalizuar
Demokracia
12:16 | 07 Prill 2022

Share:

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se BE-ja e ka kryer punën e saj për vizat, përkundër që vizat ende nuk i janë hequr qytetarëve të Kosovës.

“Liberalizimi i vizave është e vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani, por nuk është çështje e BE-së, sepse ne e kemi bërë punë tonë”, ka thënë Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Ai këto komente i ka bërë gjatë një konference të mbajtur të enjten nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në 6-vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, shkruan Demokracia.com.

Përkundër që Szunyog nuk e di pse ende nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave për kosovarë, ai ka ditur mes tjerash të thotë se tani i takon Qeverisë së Kosovës që t’i kryejë “detyrat e shtëpisë”.

“Do të doja të shihja që Qeveria tu ofrohet shteteve anëtare. Do të doja të shihja edhe Qeverinë të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të punojë me shtetet anëtare”, deklaroi ai, duke i rekomanduar Kosovës të lobojë të shtetet anëtare veç e veç.

Ndryshe, janë mbi 10 vjet që Kosova dialogon për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, por qytetarët e saj ende mbesin të vetmit nga rajoni që nuk e gëzojnë mundësinë e udhëtimit në vendet e Shengenit pa viza.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave. /Demokracia.com/

Të ngjashme