OpEd
As luftë e njëmendtë, as paqe e mirëfilltë
Demokracia
14:06 | 11 Nëntor 2021

Share:

Nuk do të ketë luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gabriel Escobar, Zëvëndës-Asistent Sekretari i Shtetit, Emisari Special për Ballkanin Perëndimor dhe realisht, zëri kryesor i Administratës së Presidentit Biden për këto anë të Evropës, ka disa javë që po e përsërit këtë qëndrim të prerë, kur pyetet prej gazetarëve për gjasat që në Bosnjë dhe Hercegovinë të ketë luftë, në ditët kur bëhen 26 vjet nga Marrëveshja e Daytonit.

Ajo paqe, në vitin 1995, nuk do të mbërrihej kurrë pa Amerikën. Dhe duket që as kjo paqja e tanishme, e vitit 2021, nuk do të ruhet pa Amerikën.

Zatën, në këtë Evropën e sotme, në BE-në e tanishme, nuk ka politikan dhe diplomat i cili së pari, në mënyrë kaq kategorike, do ta mohonte mundësinë e shpërthimit të një lufte të re, dhe që, së dyti, do të merrej seriozisht nga politikanët kryesorë të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe të shteteve fqinje të saj.

Escobar, edhe në një temë tjetër, sërish duke reflektuar politikën e Administratës Amerikane, edhe një herë në mënyrë të prerë, po deklaron që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet të bëhen pjesë përbërëse e BE-së.

Duket që as në këtë çështje nuk ka aktualisht politikan apo diplomat të Evropës, i cili ka vullnet për t’u prononcuar në këtë mënyrë, teksa dihet që nuk mund të ketë Evropë stabile me një Ballkan të destabilizuar sërish, një perspektivë që nuk është larg mendsh, kur të merret parasyshë çfarë ndodhi sivjet në thuaja të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ende pa u përfunduar ky vit, mund të konkludohet që këto anë të Evropës kanë grumbulluar aq shumë probleme dhe tensione, të cilat mund të marrin trajtat e shpërthimeve të rrezikshme, ose edhe mund të shfrytëzohen si shkas për një mobilizim më të madh politik dhe diplomatik të Perëndimit për të stabilizuar një herë e mirë Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, dihet që partneriteti trans-atlantik sërish është i domosdoshëm në adresimin e sprovave kryesore në Ballkanin Perëndimor. Por, aktualisht, edhe një herë Washingtoni po detyrohehet të involvohet si garantues i paqes, dhe si lajmëtari kryesor për dhënien e mesazheve të qarta për të gjithë liderët e rajonit.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, edhe pse nuk kanë shumë elemente të përbashkëta si raste historike dhe politike (ai kryesori ka të bëjë me autorësinë e krimeve të luftës, që njeh Serbinë e Slobodan Miloševićit, e tjetri që si Bosnja ashtu edhe Kosova kanë qenë njësi përbërëse të ish-RSFJ-së), kanë mbetur si shtete të pakryera, të papërfunduara. Apo, thënë ndryshe, as Kosova dhe as Bosnja, nuk kanë mbërri në fund të rrugës së rrumbullakësimit të shtetësisë së tyre.

Kosova ka më pak telashe se sa Bosnja e Hercegovina në funksionimin e saj si shtet, por Bosnja është anëtare e OKB-së.

Marrëveshja eventuale e Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do ta kishte në themelet e veta njohjen formale reciproke, do t’ia hapte Kosovës të gjitha dyertë ndërkombëtare, aktualisht të mbyllura.

Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, duhet të ndodhë reforma politike dhe legale, e cila kërkon pajtimin e përfaqësuesve të tre popujve konstitutiv (boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve), dhe të dy shteteve fqinje (Kroacisë dhe Serbisë).

Kjo me siguri është ndërmarrje më e ndërlikuar se sa rasti i Kosovës. Teksa, nuk mund të ketë pazare politike, ku pranimi i Kosovës nga Serbia, do të ‘kompenzohej’ me bashkimin e entitetit të Republika Srpska-s me Serbinë.

Mund të merret me mend se çka do t’i sjellte rajonit një ndërmarrje e këtillë.

Në anën tjetër, paqja e tanishme në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, do të mund të transformohet në një gjendje të përhershme, vetëm kur Kosova dhe Serbia do ta nënshkruajnë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse, dhe kur Bosnja dhe Hercegovina do të funksionojë si një shtet normal.

Rrethanat kanë ndryshuar në Ballkan, prej asaj dekadës së luftës (në vitet e nëntëdhjeta), për të mirë dhe për të keq.

Ta zëmë, përkundër të gjitha mospajtimeve në mes të shteteve të dala nga zhbërja e ish-RSFJ-së (të cilat sërish njohin Serbinë ai adresë kryesore të tyre), nuk del që opsioni i luftës është real. Serbia e sotme është më e dobët se ajo e katër luftërave të shkaktuara prej saj (në harkun kohor 1991-1999), teksa proceset e krijimit të shteteve të reja kanë marrë fund.

Megjithatë, ka edhe lajme të këqija të cilat çojnë ujë në atë mullirin e parashikimeve të këqija për prishjen e paqes së tanishme në Ballkanin Perëndimor.

Për shembull, Rusia e sotme, është një shtet krejt tjetër për dallim prej Rusisë së viteve të nëntëdhjeta, e cila, u pati përfshirë në Grupin e Kontaktit (së bashku me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë), dhe pati dhënë kontributin e saj veçmas në përfundimin e luftës në Bosnjë. Lideri i Rusisë, Vladimir Putin, nuk sheh kurfarë përfitimi për vete nga një stabilizim afatgjatë i Ballkanit Perëndimor.

Pastaj, BE-ja e sotme, nuk është as hija (si thuhet), e Bashkimit Evropian, i cili pati luajtur rol shumë të rëndësishëm në imponimin e paqes në Bosnjë dhe në Kosovë, dhe në pavarësimit të Kosovës.

Më në fund, lajm tjetër i keq është që koha nuk punon shumë për zgjidhjen e problemeve kyç në Ballkanin Perëndimor, apo nuk mund të pritet që disi në mënyrë të natyrshme, me kalimin e viteve, do të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe funksionalizimi i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Diçka e tillë nuk do të ndodhë pa një rol vendimtar të SHBA-së dhe pa partneritetin efektiv në mes të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Të ngjashme
OpEd • 16 Prill 2024
OpEd • 13 Prill 2024