OpEd
Arti Francez i Protokollit: Çfarë ndodh në prapaskenat e diplomacisë botërore
Demokracia
15:44 | 28 Janar 2024

Share:

Shkruan: “Worldcrunch”

Lodhja është e dukshme në fytyrat, ashti si tensioni në trupat e tyre. Është data 22 qershor 2023, dhe që nga orët e para të mëngjesit ata po punojnë me vrull në sallat e Palais Brongniart në Paris, ku do të mbahet Samiti për një Pakt të Ri Financiar Global.

Duhej të menaxhohen jo më pak se 120 delegacione shtetërore dhe ojq, si dhe 40 krerë shtetesh dhe qeverish. Po ashtu, samiti përmbante edhe takime me tematika me të veçanta, si dhe një mori tryezash të rrumbullakëta. Formati i atij takimi ndërkombëtar, i shpallur nga presidenti francez Emmanuel Macron që në samitin e G20 në nëntor 2022 në Bali, ishte i jashtëzakonshëm për nëpunësit e Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme, të cilët janë përgjegjës për protokollin.

Po ashtu, ishte një sfidë e madhe për këta diplomatë të ngarkuar me ofrimin e mikpritjes ‘à la française’, tipari natyral i një kombi që ka synuar gjithmonë të luajë një rol të madh në skenën globale. Nga 6 muajt e presidencës franceze të BE-së, dhe deri në Konferencën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Ukrainës, vizitat zyrtare të kryeministrit të Indisë dhe mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III, Botërori i Regbit dhe konferenca ndërkombëtare humanitare mbi popullsinë civile të Gazës:gjatë 2 viteve të fundit 110 anëtarët e Departamentit të Protokollit të Shtetit dhe Ngjarjeve Diplomatike nuk kanë qëndruar për asnjë ditë pa punë.

Dhe ky vit premton të jetë edhe më i ngarkuar, me 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate

në Normandi, Samitin e Frankofonisë, vizitat e liderëve botërore dhe sigurisht me Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Paris dhe mbarë Francën. Pastaj janë edhe aktivitetet e shumta të përditshme.

“Protokolli është aty për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë:pritja në Francë e personaliteteve të huaja të rangut të lartë; ceremonitë e mëdha, ku të gjithë duhet ta dinë se ku është vendi i tyre; misionet e diplomatëve të huaj në Francë”- shkruan ish-ambasadori Daniel Jouanneau në librin “Souvenirs d’un chef du Protocole” (2021) (Sekretet e një shefi protokolli) – një pozicion që e mbajti në vitet 1993-1997.

Për presidentin Charles de Gaulle, protokolli ishte mbi të gjitha “shprehja e rendit në Republikën Franceze”, kujton Jouanneau. Një rend që fillon me një konfidencialitet absolut nga ata që janë përgjegjës për të. “Ne jemi në hije, anonimë”- thotë një nga nëpunësit. Kur flitet mbi marrëdhëniet diplomatike, ka kuptim çdo gjë e vogël.

Rëndësi kanë edhe thelbi edhe stili. Në lojë është imazhi i Francës, por edhe kapaciteti i saj për të ndikuar në një skenë ndërkombëtare tejet të paqëndrueshme. Në këtë kontekst, pompoziteti është një armë shumë e rëndësishme. Kjo ishte më se e dukshme gjatë vizitës “gati-shtetërore” të kryeministrit të Indisë Narendra Modi në Ditën Kombëtare të Francës më 14 korrik 2023.

Gjithçka ishte aty:tapeti i kuq dhe marshet solemne nga Garda e Republikës që kishte dalë në aeroport, kryeministrja Elisabeth Borne. Më pas ceremonia zyrtare në Les Invalides, prezantimi i Kryqit të Madh të Legjionit të Nderit nga Emmanuel Macron, vendi i veçantë për Modin në tribunën kryesore të paradës ushtarake, darka shtetërore në Louvre me më shumë se 200 të ftuar, dhe shpërthimi i fishekzjarrëve nga Kulla Eifel.

Modi ishte plot lavdërime, duke e quajtur atë një vizitë “të paharrueshme”. Por përveç pompozitetit, ka edhe elementë që janë më pak të dukshëm, apo që të paktën nuk do të perceptohen nga një sy i pa stërvitur. Për shembull, menutë për një drekë apo darkë zyrtare.

Të krijuara sipas shijes së autoriteteve franceze, ato marrin parasysh kufizimet e mundshme, papajtueshmëritë, apo edhe kërkesat personale të të ftuarve. Kështu gjatë darkës së 14 korrikut, Modit iu vu përpara një menu tërësisht vegjetariane. Një detaj tjetër ka të bëjë me renditjen e flamujve.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Quai d’Orsay, midis një Ministri të Jashtëm francez dhe një homologu të huaj, flamuri francez vendoset gjithmonë në të djathtë, ndërsa ai  evropian vendoset në të majtë ose në të djathtë, në varësi të faktit nëse homologu është nga një vend i BE-së apo jo.

Pastaj është plani mbi mënyrën e vendosjes së karrigeve, shkëmbimi i dhuratave, respektimi i rreptë i orareve, vendosja e duhur e fotografëve. Lista e gjërave për të cilat duhet të kujdeset Departamenti i Protokollit është e pafundme. Të gjitha vizitat, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit apo madhësia e delegacioneve, meritojnë të njëjtën vëmendje”-thotë një nëpunës i këtij departamenti.

Departamenti i Protokollit të Shtetit dhe i Ngjarjeve Diplomatike, është i ndarë në 5 sektorë: stafi i ceremonive, ai që merret me menaxhimin e trupit të huaj diplomatik në Francë, i ndihmës logjistike për organizimin e konferencave ndërkombëtare, i përkthimit dhe së fundi i dhënies së çmimeve për personalitete të huaja.

Të gjithë nëpunësit janë përgjegjës për zbatimin – në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Komunikimit dhe Shtypit – e rreptë të rregullores. “Është një Protokoll Shtetëror unik, trashëgimi e një tradite të vjetër që daton nga fundi i shekullit XVI-të, i vendosur në Quai d’Orsay dhe i drejtuar nga një diplomat”-na thotë një nga drejtuesit e tij më të lartë.

Ai thekson se Presidenti i Republikës, ashtu si kryeministri, nuk ka Protokollin e tij. Ndërkohë Asambleja Kombëtare dhe Senati, kanë secili shërbimet e tyre të Protokollit. Në praktikë, zyra nr.2 e Protokollit është në varës të kryeministrit, dhe drejtori i saj kujdeset personalisht për Presidentin e Republikës.

Qershorin e kaluar, Frédéric Billet, ambasador në Estoni dhe Poloni, u rikthye në pozicionin që kishte pasur gjatë viteve 2016- 2019. Përveç konfidencialitetit të madh, misioni shtetëror kërkon vetëkontroll, aftësi të mira dëgjimi dhe fleksibilitet.

“Një vizitë, në Francë apo jashtë vendit, është një moment ekuilibri midis dy shërbimeve protokollare. Ndodhin gjithmonë disa negociata midis asaj që kërkon Franca nga ne, dhe asaj që parashikon vendi partner”- thotë zyrtari u këtij departamenti.

Gjithçka diskutohet gjatë takimeve dhe vizitave përgatitore, me një frekuencë që varion në varësi të përmasave të aktivitetit. Kështu në kuadër të vizitës zyrtare të Mbretit të Britanisë së Madhe Charles III dhe Mbretëreshës Camilla në shtator 2023, u zhvilluan disa seanca pune në fillim të vitit dhe rreth 2 javë para mbërritjes së tyre.

Për këto ngjarje të jashtëzakonshme, dhe aq më tepër për ato më të zakonshmet, koha është një mall i rrallë për personelin e Protokollit, në një epokë ku po përshpejtohet ritmi i botës.

Përpjekja për të shmangur të papriturën, të madhe apo e vogël, është një domosdoshmëri.

Por incidentet dhe të papriturat, ndodhin shpesh pavarësisht përgatitjeve paraprake, dhe duhet të dish se si t’i përballosh ato. “Në takimet tona me Protokollin e Japonisë, ne vëmë re të njëjtën frikë nga e papritura, si gjatë përgatitjes së vizitës së perandorit japonez në Francë (në tetor 1994)”- shkroi Daniel Jouanneau mbi vizitën shtetërore të presidentit të atëhershëm Jacques Chirac në Japoni në fundin e vitit 1996.

“Vendet e tjera kanë një model të kundërt. Mirësjellja nuk është shqetësimi i tyre kryesor, dhe marrëdhëniet e tyre me të tjerët janë jashtëzakonisht të drejtpërdrejta. Një “po” është vërtet po, një “jo” është “jo. Kjo do të thotë se ka më pak rreziqe keqkuptimi. Dhe ata janë jashtëzakonisht reagues”- thotë një nga nëpunësit e Protokollit francez.

Të ngjashme