Lajme
Arta Balaj emërohet Drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës
Demokracia
11:38 | 21 Mars 2022

Share:

Ekipit të bashkëqeverisjes së LDK-së dhe PDK-së në Komunën e Prishtinës nga sot i është bashkuar edhe Arta Balaj si Drejtoreshë e Kulturës.

Arta Balaj ka studiuar Gazetari dhe Shkenca Politike në Universitetin e Varshavës në Poloni, ku më pas edhe ka specializuar në Marketing Politik dhe Marrëdhënie me Publikun.

Drejtoresha e sapoemëruar, Arta Balaj, njihet për përvojën e saj të gjatë në sektorin privat. Ajo disa vite ka qenë edhe konsulente e jashtme e ish-ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavilecit, ndërsa nga viti 2015 ishte shefe e kabinetit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, raporton Demokracia.com.

Emërimin e Arta Balajt si Drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës e ka bërë të ditur edhe kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili.

Ismaili ka thënë se përgatitja e lartë profesionale dhe përvoja e madhe në sektorin publik dhe privat në Kosovë, e bëjnë Artën një kuadër mirë të kualifikuar për këtë pozitë.

“Si një grua e përgatitur mirë, me shkollim ndërkombëtar dhe e dëshmuar për rreth dy dekada në sektorin publik e privat, Arta ka besimin dhe mbështetjen time të plotë në detyrën e re. Ajo ka punuar në disa shtete të ndryshme ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shumë organizata ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë. Përvojën e saj të madhe do ta sjell tani në Prishtinë, për t’i dhënë gjallëri jetës dhe aktiviteteve kulturore në kryeqytetin tonë”, ka thënë Ismaili.

Arta Balaj shkollën fillore dhe të mesme i kreu në kryeqytet, ndërsa studimet bachelor dhe magjistraturën i kreu në Fakultetin e Gazetarisë dhe Shkencave Politike, Universiteti i Warszawës, në Poloni (1999-2004). Në po të njëjtin universitet, ajo ka kryer edhe specializimin në Marketing Politik dhe Marrëdhënie me Publikun.

Puna e saj mbi 20 vjeçare ndërlidhet kryesisht me sektorin privat, ku ka përvojë të gjatë në administrim, menaxhim dhe llogaridhënie.

Karriera e saj profesionale filloi gjatë luftës së armatosur në vitet 1998-1999, kur punoi si korrespondente e Radiotelevizionit Shtetëror Informativ të Polonisë. Ajo u angazhua vullnetarisht dhe ndihmoi qeverinë polake, UNHCR-in dhe Kryqin e Kuq polak në transportimin e refugjatëve shqiptarë dhe romë nga Maqedonia dhe në krijimin e kampeve të refugjatëve në Poloni.

Në vitin 2006 u angazhua me punë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si specialiste për zhvillimin e biznesit dhe marketingut në kuadër të një kompanie amerikane, World Strategic Initiatives. Pas një viti ishte rikthyer në Kosovë si analiste politike ndërkombëtare në UNMIK, për të vazhduar karrierën në sektorin privat dhe atë bankar.

Nga viti 2010, përmes projektit të UNDP-së dhe KFOS-it, ajo ishte angazhuar si Këshilltare për Marrëdhënie me Publikun dhe Marketingun në Kabinetin e Ministrit të Bujqësisë. Kjo eksperiencë i kishte hapur rrugë për të vazhduar karrierën në projekte konsulence ndërkombëtare me DANIDA-n, USAID-in, Komisionin Evropian dhe me kompaninë e saj private, kryesisht në fushën e marrëdhënieve me publikun, marketingun, administrimin dhe menaxhimin e projekteve.

Që nga viti 2015, ajo ishte emëruar Shefe e Kabinetit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Përveç gjuhës amtare, shqipes, Arta Balaj e flet rrjedhshëm edhe polonishten, anglishten dhe serbishten. /Demokracia.com/

Të ngjashme