Lajme
Arsim Halili tërhiqet nga kompensimi, pasi po hetohej marrëveshja e dyshimte e tij me drejtorin Ahmetxhekaj
Demokracia
09:33 | 13 Prill 2022

Share:

U.D. të Zëvendësdrejtori i Televizionit Publik, Arsim Halili ka njoftuar se është tërhequr nga kompensimi financiar në RTK. Përmes një postimi në Facebook, Halili ka njoftuar se heq dorë nga ky kompensim, siç ka thënë ai, pasi kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete.

Megjithatë, tërheqja e tij vije pasi po hetohej marrëveshja e dyshimtë e tij me U.D. Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Demokracia.com kishte raportuar se U.D i Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së është përfshirë në një marrëveshje të dyshimtë brenda Televizionit Publik. Ai e ka shpërblyer shokun e tij Arsim Halilin me 9328 euro, duke e tërhequr lëndën kundër tij në Gjykatën e Apelit dhe duke e vendosur më pas në pozitën e u.d. të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Ahmetxhelaj e ka tërhequr lëndën nga Gjykata e Apelit, ku RTK e kishte atakuar vendimin e Gjykatës Themelore në rastin e Arsim Halilit, e cila fillimisht kishte vendosur në favor të tij.

Rasti kishte të bënte me suspendimin dhe degradimin e Arsim Halilit nga pozita e redaktorit në gazetar nga komisioni disiplinor i RTK-së për shkak të ofendimit të komunitetit LGBT, pas një proteste të këtij komuniteti në Prishtinë në vitin 2016.

Menaxhmenti i RTK-së e kishte suspenduar dhe degraduar pas vendimit të komisionit disiplinor të RTK-së, për gjuhë ofenduese ndaj një komuniteti të caktuar dhe për shkelje të etikës dhe standardeve profesionale. Halili më pas ishte ankuar në gjykatë dhe në vitin 2018, pas një procesi gjyqësor, Gjykata Themelore kishte vendosur në favor të tij.

Postimi i plotë i Halilit:

Të nderuar!

Në vitin 2019 e kam fituar një kontest gjyqësor kundër RTK-së pas një vendimi arbitrar dhe kundërligjor të suspendimit dhe degradimit 6 shkallësh nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala.
Ne fund të kësaj beteje disavjeçare dhe me përfaqësimin ligjor nga avokati Isamedin Dedinca, të cilit i jam shumë mirënjohës, Gjykata kishte vendosur në favorin tim. Llogaritur deri në muajin janar 2022, aktgjykimi parasheh dëmshpërblim financiar prej 21 mijë eurosh në total.

Kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete, krahasuar me betejën time konsistente për vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e ligjshmërisë në RTK. Duke qenë kështu, ju njoftoj se kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga ky kompensim.

Përkushtimi im për një RTK në shërbim të publikut, do të vazhdojë njejtë edhe në tê ardhmen.

RTK-ja ka filluar një fazë të re të zhvillimit dhe konsolidimit dhe për këtë kemi kontribuuar bashkë dhe sakrifikuar prej vitesh. Jam i lumtur për përfundimin e epokës së degradimit të RTK-së dhe të keqpërdorimit me paranë publike ashtu sikurse jam shumë optimist për të ardhmen e Transmetuesit Publik.

Në vijim emaili zyrtar të cilin ia kam dërguar U.D. Drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

I nderuari U.D. Drejtor i Përgjithshëm z.Ahmetxhekaj!

Përmes këtij e-maili dëshiroj që vullnetarisht të shpreh gatishmërinë për të hequr dorë nga kompensimi financiar i diferencave të pagës, pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 28.01.2022 për zbatimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 02.04.2019 me numër reference 1470/19 dhe të konfirmuar pas marrëveshjes, me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me numër 1282/22, dt. 06.04.2022.

E vlerësoj lart gatishmërinë dhe vullnetin tuaj për korrigjimin e padrejtësisë rreth 6- vjeçare dhe zbatimin e plotë të ligjshmërisë së konfirmuar me vendim gjykate ashtu sikurse konsideratën e vlerësimin tuaj profesional për ta dhënë kontributin për ngritjen dhe avancimin e Transmetuesit Publik.

Megjithatë, marr parasysh gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballet RTK-ja si pasojë e keqmenaxhimit në të kaluarën, borxheve milionëshe të trashëguara dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga përmbarusit, e duke qenë vet në pozitë menaxheriale vendimmarrëse e shoh si hap të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të reflektuar karshi situatës financiare dhe për të hequr dorë nga dëmshpërblimi financiar prej rreth 21 mijë eurosh përfshirë (diferencat mujore në pagë, kontributet pensionale, tatimin në paga, shpenzimet e procedurës dhe kamatën ligjore prej 8 përqind).

Dëshiroj që të shpreh vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar kontributin për zhvillimin e Transmetuesit Publik.
Konsideroj se ndryshimet që kanë ndodhur muajve të fundit janë sinjal shpresdhënës se RTK-ja është në rrugë të mbarë për t’ju kthyer publikut si mediumi me shikueshmërinë dhe besueshmërinë më të lartë në vend.

Ky mbase është satisfaksioni dhe qëllimi ynë përbashkët, para çdo sakrifice dhe realizimi të së drejtës personale, që është cënuar nga menaxhmentet e kaluara.
Me respekt,
———————-
Arsim HALILI
U.D. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Menaxhmenti i RTK-së bëhet objekt i hetimit, u.d. drejtori e zëvendësdrejtori e nisën punën me marrëveshje të dyshimtë

Të ngjashme